Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi për News24 se situata në zonën e Lukovës në bashkinë e Himarës është aktualisht nën kontroll, ndërsa vijojnë përpjekjet për shuarjen e plotë të disa vatrave aktive në kodrat përreth.

“Sot situata është shumë më e përmirësuar. Në Lukovë kemi një situatë të kontrolluar dhe jemi duke punuar me të gjitha forcat për eliminimin e vatrave të mbetura. Gjatë javës kemi përjetuar ditë jashtëzakonisht të nxehta, të cilat kanë vështirësuar operacionet”, tha Çako.

Ai nënvizoi se përveç faktorëve natyrorë si temperaturat e larta, një pjesë e vatrave të zjarrit shkaktohen edhe nga djegia e mbeturinave bujqësore apo papërgjegjshmëri njerëzore. Sipas Çakos, policia ka dokumentuar raste të tilla dhe është duke ndjekur procedurat përkatëse për vënien e autorëve përpara drejtësisë.

“Nuk përjashtohen as rastet kur zjarret nisen për interesa të paligjshme, si krijimi i hapësirave për ndërtime apo përfitime të tjera,” theksoi ai.

Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë, ndërsa operacionet nga toka dhe ajri pritet të vijojnë deri në neutralizimin e plotë të çdo rreziku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb