Kreu i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e News24, ka dhënë detaje për përballjen me situatën e zjarreve që kanë përfshirë jugun e vendit. Ai theksoi se Lukova është një nga zonat më problematike, ndërsa theksoi se janë ndërmarrë masa për të përforcuar kapacitetet në terren.
“Lukova është një prej zonave më të vështira ku po përballemi me flakët. Për këtë arsye kemi angazhuar forca shtesë nga Fieri dhe Berati, pasi kapacitetet vendore nuk kanë qenë të mjaftueshme për përballimin e situatës,” deklaroi Cara.
Ai shtoi se, përveç zjarrfikësve lokalë, janë mobilizuar edhe trupa nga qytete të tjera në ndihmë të operacioneve në terren, ndërsa përmendi se edhe Delvina dhe Piqerasi ishin shndërruar në vatra serioze zjarri.
“Masivi i zjarrit ka qenë shumë i madh në këto zona. Bimësia e thatë ka ndihmuar përhapjen e flakëve, duke e bërë ndërhyrjen më të vështirë,” tha Cara.
Ai konfirmoi se pavarësisht sfidave të terrenit dhe temperaturave të larta, shërbimet zjarrfikëse mbeten në gatishmëri të plotë dhe po punojnë pa ndërprerje për neutralizimin e vatrave ekzistuese dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
