Prefekti i qarkut të Vlorës, Plator Nesturi, ka dhënë një përditësim për situatën e zjarreve në këtë qark, gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24.
Nesturi bëri të ditur se aktualisht në territorin e Vlorës vijojnë të jenë aktive tre vatra zjarri, ndërsa është shuar plotësisht zjarri në zonën e Kaninës. Ai theksoi se për shkak të terrenit të vështirë malor, ndërhyrjet në disa prej këtyre zonave mbeten sfiduese.
“Jemi në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Në Shën Vasil, zjarri iu afrua zonës së banuar, por me angazhim të forcave u shmang rreziku”, u shpreh Nesturi.
Ai shtoi se situata me zjarret në Vlorë është në përputhje me atë që po ndodh në të gjithë rajonin e Mesdheut, ku temperaturat ekstreme kanë ndikuar në përhapjen e flakëve. Sipas tij, shumica e zjarreve të regjistruara në Vlorë dyshohet se janë të qëllimshme.
Autoritetet lokale vijojnë të apelojnë për kujdes maksimal nga qytetarët dhe bashkëpunim për të denoncuar çdo rast zjarrvënieje pranë strukturave përgjegjëse.
