Fikayo Tomori është rikthyer. Mbrojtësi anglez i AC Milan foli këtë mëngjes për MilanTV rreth situatës aktuale të ekipit të Massimiliano Allegrit përpara miqësores së fundit të turneut australian ndaj Perth Glory.
“Të fitosh çdo ndeshje është një ndjenjë e mirë. Ne luajtëm kundër Liverpoolit dhe po, jemi të lumtur sepse është pjesë e përgatitjes sonë. Jemi të lumtur, tani po shkojmë në Perth për të luajtur një ndeshje tjetër dhe për ta përfunduar mirë këtë turne.”
Lidhur me dialogun e vazhdueshëm me Allegrin, ish-lojtari i Chelseat shpjegoi: “Trajneri është gjithmonë i qartë me udhëzimet e tij dhe atë që dëshiron nga unë. Ai është gjithashtu i qartë me të gjithë ekipin. Tani jemi më të fortë në mbrojtje. Kemi besimin për t’u mbrojtur mirë sepse e dimë që kemi sulmues të fortë. Gjendja jonë fizike është më e mirë tani sesa ishte dy javë më parë. Ndihemi mirë në fushë dhe fitorja kundër Liverpoolit është një gjë e mirë”- tha Tomori.
