Pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu zonën dy ditë më parë – një zjarr i përmasave të papara në dekada për bashkinë Delvinë – ka nisur zyrtarisht operacioni për vlerësimin e dëmeve.
Verifikimi po kryhet nga Njësia Administrative e Vergoit, ku ekipet në terren po kontrollojnë imtësisht të gjithë fshatrat e prekur. Punonjësit po kryejnë inspektime pëllëmbë për pëllëmbë nëpër ara, baçe dhe fusha për të evidentuar dëmet materiale, por edhe për të zbuluar nëse ka pasur humbje të gjësë së gjallë.
Gjatë kontrollit, janë konstatuar 10 kokë bagëti të djegura nga flakët. Trupat e tyre janë grumbulluar dhe menjëherë janë groposur, në përputhje me protokollet veterinare për parandalimin e përhapjes së ndonjë sëmundjeje të mundshme.


Autoritetet lokale vijojnë punën për të përpiluar raportin përfundimtar të dëmeve dhe për të identifikuar nevojat emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.
