Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim me kineastët shqiptarë dhe Kryetarin e ri të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Takimi u zhvillua  mbi vizionin dhe hapat konkretë të strategjisë së re për zhvillimin e sektorit audiovizual në Shqipëri. Përmes një postimi në Facebook, Gonxhja thotë së bashku me përfaqësues të QKK-së dhe ekspertë ndërkombëtarë të ftuar nga British Council, sot u prezantuan pikat kryesore të strategjisë së re për audiovizualin.

Postimi i plotë

Takim me kineastët shqiptarë dhe Kryetarin e ri të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë mbi vizionin dhe hapat konkretë të strategjisë së re për zhvillimin e sektorit audiovizual në Shqipëri.

Një moment i rëndësishëm për të ndarë me komunitetin e industrive kreative prioritetet tona për të ardhmen, duke vendosur në qendër transparencën, rritjen e standardeve profesionale dhe nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Gjatë takimit, së bashku me përfaqësues të QKK-së dhe ekspertë ndërkombëtarë të ftuar nga British Council, prezantuam pikat kryesore të strategjisë së re për audiovizualin, e ndërtuar mbi nevojat dhe potencialin e tregut vendas dhe ndërkombëtar, rregulloren e re të aplikimit në Qendrën Kombëtare të  Kinematografisë, e cila synon të thjeshtojë procedurat dhe të krijojë më shumë hapësira për projekte cilësore si dhe mundësitë konkrete që ofron Media Desk i Creative Europe për përfshirjen e kineastëve shqiptarë në rrjete dhe bashkëprodhime evropiane.

Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe me partneritete të qëndrueshme, mund të ndërtojmë një ekosistem të fortë për krijimtarinë audiovizuale në Shqipëri, një sektor që jo vetëm përfaqëson identitetin tonë kulturor, por edhe ka potencial real për zhvillim ekonomik dhe diplomaci kulturore.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb