Franca njoftoi të martën se do të hedhë nga ajri 40 ton ndihma humanitare në Rripin e Gazës duke filluar nga e premtja.

“Ne do të organizojmë, duke filluar nga e premtja dhe në koordinim të ngushtë me autoritetet jordaneze, katër fluturime që do të transportojnë nga 10 ton ushqime secili në Rripin e Gazës”, tha Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot për transmetuesin francez BFM TV, ndërsa bashkëkryesoi një konferencë të nivelit të lartë mbi një zgjidhje dy-shtetërore për konfliktin palestinezo-izraelit në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Duke theksuar se rruga ajrore është “e dobishme”, por “jo e mjaftueshme”, ai vuri në dukje se 52 ton  ngarkesë humanitare franceze janë aktualisht të bllokuara vetëm pak kilometra nga Rripi i Gazës.

“Prandaj është thelbësore që autoritetet izraelite më në fund të bien dakord të rihapin aksesin tokësor në Gaza në një mënyrë mjaftueshëm kuptimplote për të lehtësuar vuajtjet e tmerrshme të popullsisë civile atje”, tha Barrot.

Ai riafirmoi më tej se ata kishin arritur dhe “madje i tejkaluar” qëllimet që kishin vendosur duke krijuar vrull me njoftimin e Britanisë se po shqyrton njohjen e shtetit të Palestinës.

“Vende të tjera po ndjekin shembullin”, tha Barrot. “Shkurt, ne kemi ringjallur një horizont politik: zgjidhjen me dy shtete, e cila ishte në prag të kolapsit.”

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb