Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Vlera”, për zbardhjen e disa rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Si rezultat, janë identifikuar dy autorë të dyshuar për vjedhje me thyerje në dy banesa, të ndodhura gjatë muajve shkurt dhe korrik.
Në pranga ka rënë shtetasi R. K., 57 vjeç, ndërsa bashkëpunëtori i tij, G. L., 30 vjeç, është shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, policia ka sekuestruar 900 000 lekë, 5 700 euro, 12 orë, 20 bizhuteri të ndryshme dhe 8 celularë, të dyshuara si të vjedhura, si dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjeve.
Hetimet vijojnë për kapjen e të kërkuarit dhe për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
