Ndërsa ndërmori një udhëtim studimor në Leskovik, gjuhëtarja Ledi Shamku, hasi në toponimin “Vrima e Kopiles”. Në fshatin Kuqesh, banorët i referoheshin me këtë emër një gryke-shpellë që të lidhte me liqenin sulfuror nëntokësor më të madh në Europë.

Përballë një emërtimi që duket se bart një histori turpi e morali, Shamku së pari kërkoi të dijë si e shpjegonin banorët historinë e “Vrimës së Kopiles”.

Por ndërsa ka nisur punën për të mbledhur dhe digjitalizuar toponimet e Shqipërisë,  që e quan gjuhë të pashkruar për shkak të botëkuptimeve, nuancave antropologjike dhe peshave kulturore që bartin, Shamku që njëherësh po merret me ritet arbëreshe, kujtoi kuptimin tjetër të fjalës kopile, jo si një fëmijë i ardhur jashtë martese, por si një emërtim që përcakton stadin shoqëror të një individi, atë të një vajze të re që është ende e pamartuar, për çka gjeti përputhje edhe në shënimet Çabejt, i cili e çon më tej informacionin për fjalën.

Ky është rasti kur një toponim në fshatin Kuqesh të Leskovikut, rizbulon një kuptim të hershëm të fjalës kopile, duke hedhur dritë mbi udhëtimin e një fjale në mesin e disa gjuhëve.

Nusja, Kopilja, vasha, zana, nimfa e emërtime të tjera si këto, në kulturën ilire e më pas arbërore kanë pasur të njëjtin kuptim, të një vashe mes dy botëve, të lidhjes me ujin dhe kanë simbolizuar shumë më shumë se moralin e kohës së bejlerëve e pashallarëve. Kërkime si ky, rizbulojnë gjuhën e pashkruar e përmes saj kulturën e banorëve që jetuan në tokat ilire.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb