Tensionet diplomatike mes Italisë dhe Rusisë janë përshkallëzuar pas publikimit nga Ministria e Jashtme ruse të një liste emrash të cilësuar si “rusofobë”, ku përfshihen edhe figura të larta të shtetit italian, presidenti i Republikës Sergio Mattarella, ministri i Jashtëm Antonio Tajani dhe Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto.
Në një deklaratë zyrtare nga Palazzo Chigi, kryeministrja Giorgia Meloni dënoi publikimin e listës, duke e quajtur atë “një tjetër operacion propagandistik të Moskës, që synon të largojë vëmendjen nga përgjegjësitë e rënda të agresionit rus në Ukrainë”.
Meloni theksoi se Italia mbetet e vendosur në mbështetje të Ukrainës dhe rezistencës së saj, duke ofruar solidaritetin e saj të plotë ndaj figurave italiane të shënjestruara.
Ministri i Jashtëm Tajani reagoi menjëherë duke thirrur ambasadorin e Federatës Ruse në Itali, Alexei Paramonov, për të kundërshtuar ashpër përfshirjen e presidentit të Republikës në listën e publikuar nga Moska. Tajani e konsideroi këtë akt si “një provokim ndaj Republikës dhe popullit italian”.
Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse, presidenti Mattarella u përfshi në listë për shkak të një fjalimi të mbajtur më 5 shkurt në Universitetin e Marsejës, ku ai krahasoi agresionin rus në Ukrainë me luftërat pushtuese të Rajhut të Tretë.
Ndërkohë, Tajani kishte deklaruar publikisht se “luftëtarët ukrainas, si partizanët e vitit 1945, po luftojnë për liri”. Ndërsa Crosetto ka theksuar se “kam frikë se Putini dëshiron të gjithë Ukrainën dhe askush nuk garanton se do të ndalet aty”.
(BalkanWeb)
