Lamtumira e fundit legjendës së heavy metal-it, Ozzy Osbourne, i cili vdiq më 22 korrik në moshën 76 vjeç, erdhi nga mijëra njerëz në qytetin e tij të lindjes, Birmingham, mes muzikës dhe duartrokitjeve, në një procesion mortor që ishte një festë, ashtu siç kishte kërkuar ‘princi i errësirës’ në një intervistë disa kohë më parë.

Makina funerale, e cila ecte pëpëlqyer përgjatë një rruge të gjerë plot me njerëz nga të dyja anët, u parapri nga një fanfarë muzikantësh të rinj vendas që interpretuan disa nga këngët më të dashura të vokalistit të ndjerë të Black Sabbath.

“Ozzy Ozzy Ozzy, oi oi oi” ishte brohoritja e turmës së disa brezave që shoqëroi procesionin deri në momentin kulminant të ceremonisë publike, e cila u zhvillua në Urën Black Sabbath, një urë e emëruar sipas grupit të famshëm të rokut, në të cilin Osbourne ishte këngëtari kryesor në vitet ’70 dhe ’80.

E veja e tij, Sharon, vendosi lule midis shumë luleve të lëna nga fansat dhe me lot në sy lexoi homazhet përkrah fëmijëve të saj, Kelly, Aimee dhe Jack. Kryetari i Bashkisë së Birminghamit, Zafar Iqbal, tha se procesioni ishte një mënyrë për të “bërë homazhe dhe për t’i thënë lamtumirë njërës prej legjendave më të mëdha të qytetit”.

Funerali privat do të zhvillohet nesër në një kishë në Gerrards Cross, Buckinghamshire, pranë shtëpisë së Osbourne, me familjen dhe miqtë, anëtarët e tjerë origjinalë të Black Sabbath (Tony Iommi, Geezer Butler dhe Bill Ward) të cilët performuan për herë të fundit me Ozzy-n më 5 korrik në një koncert lamtumire në Birmingham, dhe disa yje të muzikës, përfshirë Elton John, James Hetfield të Metallica-s dhe këngëtarin britanik Yungblud.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb