“Deklarata e Nju Jorkut “, e lançuar të martën në një konferencë të Kombeve të Bashkuara, riafirmoi mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin palestinezo-izraelit, mes rritjes së urisë dhe katastrofës humanitare në Gaza pas sulmeve izraelite.
Që nga 7 tetori 2023, ofensiva izraelite në Gaza ka vrarë mbi 60,000 palestinezë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën, duke shkaktuar mungesa të mëdha ushqimore. Të paktën 154 persona, përfshirë 89 fëmijë, kanë vdekur nga uria.
Deklarata u lëshua në përfundim të Konferencës Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë mbi Zgjidhjen Paqësore të Çështjes Palestineze dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete, e mbajtur nën kryesinë e përbashkët të Arabisë Saudite dhe Francës.
“Ne ramë dakord të ndërmarrim veprime kolektive për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për të arritur një zgjidhje të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez bazuar në zbatimin efektiv të zgjidhjes me dy shtete dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për palestinezët, izraelitët dhe të gjithë popujt e rajonit”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, zhvillimet e fundit kanë “nxjerë në pah, edhe një herë, dhe më shumë se kurrë, numrin e tmerrshëm të viktimave në njerëz dhe implikimet e rënda për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare” të shkaktuara nga konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Ai shtoi se pa “masa vendimtare drejt zgjidhjes me dy shtete dhe garanci të forta ndërkombëtare, konflikti do të thellohet dhe paqja rajonale do të mbetet e pakapshme”.
Në komentet e bëra nga zyrtarët turq në takim, u përdorën deklaratat e mëposhtme: “Bazuar në të dhënat dhjetëravjeçare të Izraelit, dorëzimi i armëve nga grupet e armatosura palestineze duhet të kushtëzohet ngushtësisht me realizimin e një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe të vazhdueshëm në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet ose në përputhje me një marrëveshje të arritur midis grupeve palestineze si pjesë e procesit të pajtimit.”
Turqia, Franca, Arabia Saudite, Brazili, Kanadaja, Egjipti, Indonezia, Irlanda, Italia, Japonia, Jordania, Meksika, Norvegjia, Katari, Senegali, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Liga Arabe e miratuan deklaratën.
Deklarata bëri thirrje për një përfundim të menjëhershëm të luftës së Izraelit në Gaza, duke shprehur mbështetje për përpjekjet e Egjiptit, Katarit dhe Shteteve të Bashkuara për t’i rikthyer të gjitha palët në marrëveshjen e armëpushimit.
Ajo theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha fazave të marrëveshjes, duke përfshirë një fund të përhershëm të armiqësive, lirimin e të gjithë pengjeve, shkëmbimin e të burgosurve palestinezë, kthimin e të gjitha mbetjeve mortore dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Pas armëpushimit, deklarata sugjeroi gjithashtu krijimin e një komiteti administrativ kalimtar për të vepruar në Gaza nën ombrellën e Autoritetit Palestinez.
Deklarata riafirmoi se Gaza është “një pjesë integrale e një shteti palestinez” dhe “duhet të bashkohet” me Bregun Perëndimor të pushtuar. Ajo theksoi se qeverisja, zbatimi i ligjit dhe siguria në të gjitha territoret palestineze duhet të bien vetëm nën autoritetin e Autoritetit Palestinez, me mbështetjen e duhur ndërkombëtare.
Dokumenti gjithashtu mirëpriti politikën e Autoritetit Palestinez “Një Shtet, Një Qeveri, Një Ligj, Një Armë” dhe premtoi mbështetje për zbatimin e saj.
Sipas deklaratës, kjo përfshin avancimin e një procesi të çarmatimit, demobilizimit dhe riintegrimit (DDR), që do të kryhet brenda një kuadri të rënë dakord me partnerët ndërkombëtarë dhe brenda një afati kohor të caktuar.
Deklarata riafirmoi mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete bazuar në kufijtë e vitit 1967, ku Izraeli dhe Palestina jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri. Ajo mbështeti të drejtën palestineze për vetëvendosje dhe tha se anëtarësimi i plotë i Palestinës në OKB është thelbësor për çdo zgjidhje politike të qëndrueshme.
Shtojca e Deklaratës së Nju Jorkut, që përmbledh propozimet nga shtetet pjesëmarrëse, bën thirrje për bashkëpunim të plotë me organet ligjore ndërkombëtare.
Ajo u bën thirrje shteteve anëtare të GJND-së të mbështesin hetimin e gjykatës mbi situatën në Palestinë dhe i inkurajon vendet të bashkohen me padinë për gjenocid të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.
(A.A/BalkanWeb)
