Kanadaja planifikon të njohë një shtet palestinez në Kombet e Bashkuara në shtator, njoftoi kryeministri i vendit. Mark Carney u tha gazetarëve se masa e planifikuar varet nga disa kushte – duke përfshirë një angazhim nga Autoriteti Palestinez për të reformuar rrënjësisht qeverinë e tij dhe për të mbajtur zgjedhje të përgjithshme në vitin 2026 në të cilat Hamasi nuk do të jetë në gjendje të luajë asnjë rol.

“Kanadaja ka qenë prej kohësh e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete, një shtet palestinez i pavarur, i qëndrueshëm dhe sovran që jeton krah për krah në paqe dhe siguri me Shtetin e Izraelit”, tha Carney, i shoqëruar nga Ministrja e Jashtme Anita Annad.

“Kanadaja synon ta njohë Shtetin e Palestinës në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, tha Carney. “Ne synojmë ta bëjmë këtë sepse Autoriteti Palestinez është zotuar të udhëheqë reformat e nevojshme dhe  gjithashtu është zotuar të mos militarizojë Shtetin e Palestinës”, shtoi Carney.

Kryeministri kanadez tha gjithashtu se “dënon Izraelin që lejon që një katastrofë të ndodhë në Gaza”.

Njoftimi i kryeministrit kanadez vjen pas një bisede që ai pati me Mahmoud Abbasin më parë dhe vjen pas angazhimeve të ngjashme nga vende të tjera.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb