FBI ka zyrtarizuar praninë e saj të përhershme në Zelandën e Re me hapjen e një zyre në Wellington, me qëllim forcimin e bashkëpunimit kundër krimit kibernetik dhe kërcënimeve të tjera ndërkombëtare. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi këtë hap si një përpjekje për të forcuar partneritetet e aleancës “Pesë Sytë” dhe për të frenuar aktivitetet kibernetike të sponsorizuara nga shteti, veçanërisht ato që vijnë nga Kina.
“Prania jonë e përhershme këtu tregon përkushtimin e FBI-së për të forcuar sigurinë në të gjithë vendet e Five Eyes”, u shpreh Patel gjatë një deklarate për mediat.
Zyra e re në Wellington do të mbulojë jo vetëm Zelandën e Re, por edhe rajone si Antarktida, Samoa, Niue, Ishujt Kuk dhe Tonga. Edhe pse FBI ka pasur staf në Zelandën e Re që nga viti 2017, ai operonte si pjesë e zyrës ligjore në Kanberra, Australi.
Ministrja e Zelandës së Re për Shërbimet e Inteligjencës, Judith Collins, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në në fusha si siguria kibernetike, lufta kundër terrorizmit, krimi i organizuar dhe spiunazhi.
