Kreu i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj emërimit të Perlat Çullhajt në sektorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, duke e cilësuar këtë vendim si një dëshmi të qartë të kapjes së shtetit nga kartelët e drogës.
Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se Çullhaj ishte shkarkuar nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me trafikantë droge, ndërsa sot, sipas tij, rikthehet në një pozicion kyç në një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë.
“Perlat Çullhaj është bashkëpunëtor i Saimir Tahirit, një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë, milioner me 3 milionë euro që në vitin 2015,” deklaroi Berisha, duke përmendur edhe lidhjet e tij me figura të njohura të krimit të organizuar si Emiljano Shullazi.
Berisha e akuzoi qeverinë se, përmes emërimeve të tilla, i shërben interesave kriminale në strukturat shtetërore dhe paralajmëroi se “droga dikton të gjithë nomenklaturën e narkoshtetit, duke kontrolluar poste, aktivitete dhe emërime në shtet”.
Berisha: Edi Rama emëroi veten e tij kryetar të Këshillit Kombëtar Shkencor të Shqipërisë.
Një njeri që meritë të vetme ka shkarravinat dhe absolutisht të tjerat i ka falsitet të plotë.
Me këtë emërim erdhi pasi ai, siç deklaroi, kishte ndaluar për vite të tëra doktoratat, se tha Shqipëria është atdheu i plagjiaturës.
Nuk ka diskutim që plagjiatura është e dënueshme, por fatmirësisht sot, programet lejojnë diktimin me lehtësi të saj.
Të ndalosh doktoraturat, do të thotë të dënosh me gijotinë kërkimin shkencor në një vend.
Pasi ia dha Akademinë, duke bërë tregti me Tom Doshin me Partinë Socialdemokrate, pasi ia dha Akademinë Skënder Gjinushit, Ramaduro u bë kryetar i Këshillit Shkencor të Republikës.
E bëra këtë hyrje se po në këtë linjë, mësoj këto ditë se në sektorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, që është shumë i rëndësishëm si sektor, është emëruar një nga narkosit më të damkosur të Shqipërisë, është emëruar Perlat Çullhaj.
Ky trafikant i shkarkuar, i nxjerrë nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me drogën, trafiqet, për prishje të provave dhe një seri veprash të tjera penale.
Perlat Çullhaj është bashkëpunëtor me Saimir Tahirin.
Është milioner me 3 milionë euro që në vitin 2015.
Është një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë.
Perlat Çullhaj është gjetur me një impiant të madh kanabisi në Manskuri, në të cilin kishte 40 gjer në 50 punëtorë dhe që u liruan që të gjithë pas arrestimit dhe 12 ton kanabis që u gjetën aty, u zhdukën si të paqena.
Ish-bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit, njeriu që me Boge Bodinin, e shndërroi Durrësin në protektorat të plotë të krimit.
Ky delinkuent merr detyrën e drejtorit të analizës shkencore, jashtëzakonisht e rëndësishme në Ministrinë e Rendit, detyrë që i lejon atij të prishë çdo provë, të sajojë çdo mashtrim.
Pra, ky fakt dëshmon se në këtë vend forca e drogës dhe e karteleve është e jashtëzakonshme.
Ajo dikton të gjithë nomenklaturën e narkoshtetit, postet, aktivitetet dhe emërimet.
Lartësimi i Perlat Çullhajt, i cili edhe gjatë këtyre periudhave ka pasur raste që është shmangur, por rikthimi i tij në një post kaq të rëndësishëm në ministri është i njëjtë me uzurpimin e Këshillit Shkencor Kombëtar nga Edi Rama.
Natyrisht në kuptimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Aq sa ka të bëjë Edi Rama me shkencën, aq ka të bëjë Perlat Çullhaj me analizat shkencore në laboratorët e ministrisë.
Dënoj me forcën më të madhe këtë emërim të ministrit, edhe ai me 3-4 mbiemra, se këta problemin e kanë me mbiemrin, betejën e kanë me mbiemrin e vet, nuk dinë si ta fshehin, Ervin Hoxha alias Kokolari, sipas interesit përdor herë njërin, herë tjetrin.
Por rikthimi i tij është një mbisundim tjetër i karteleve të drogës.
Pas Ilir Prodës, Ilir Matriksit, tani ata plotësojnë të gjithë organigramën e ministrisë.
