VALENTINA MADANI/ Për demokraten Albana Vokshi, 11 maji prodhoi një supermazhorancë, të ndërtuar mbi manipulimin dhe dhunimin e votës jo prej një opozite të dobët, por si rezultat i një lufte të pabarabartë zgjedhore. Sipas saj qeveria përdori rreth 1 miliard euro nga fondet publike për blerjen masive të votës ku përfshiu edhe grupet kriminale.
Ndaj në këtë intervistë për gazeta “Panorama”, deputetja Vokshi flet për një fazë të re të PD-së, atë të bashkimit me pjesëmarrjen e të rinjve profesionistë dhe idealistë dhe që të jenë shumë më pranë njerëzve. Ajo apelon se PD duhet të ketë si busull orientuese besimin e qytetarëve. Sepse sipas Vokshit PD nuk ka rrugë tjetër veçse të forcohet dhe të japë shpresë se Shqipëria mund të ketë zgjedhje të lira.
Deputetja demokrate tregon strategjinë e PD-së me nisjen e parlamentit të ri duke siguruar se opozita është gati për përballje përmes koordinimit politik dhe qytetar brenda dhe jashtë Kuvendit. Ajo nuk e fsheh se këtë herë përballja është më e vështirë se kurrë…
Znj.Vokshi, PS fitoi një mandat të katërt dhe do të udhëheqë vendin deri në vitin 2029. A ka arritur PD të kuptojë se pse humbi më 11 maj?
Do të doja shumë që pyetja e parë të ishte formuluar ndryshe, por është e drejta juaj të pyesni si ta mendoni. Unë do të doja të pyesnit jo pse humbi PD, por pse Edi Rama i trembet një procesi të ndershëm zgjedhor. Ne jemi të bindur se me zgjedhje të lira, shqiptarët do të jepnin një verdikt të ndryshëm. Në këtë këndvështrim po i jap dhe përgjigje pyetjes suaj. PD e ka shumë të qartë pse ndodhi ajo që ndodhi më 11 maj. Nuk është çështje humbjeje apo fitoreje në kuptimin e vërtetë të fjalës, por një farsë elektorale që nuk reflektoi vullnetin real të qytetarëve.
Ne po denoncojmë çdo ditë me fakte dhe prova sesi zgjedhjet u manipuluan përmes presionit mbi administratën, blerjes së votës, partneritetit me krimin e organizuar, dhe përdorimit kriminal të institucioneve shtetërore në shërbim të mazhorancës. PD e ka kuptuar shumë mirë se çfarë ndodhi — dhe këtë po e artikulon publikisht, brenda dhe jashtë vendit. Përmes një Task Force, në PD po dokumentojmë farsën dhe po informojmë shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë. Nga llogaritë që ne kemi bërë, deri më 11 maj, qeveria përdori rreth 1 miliard euro nga fondet publike për blerjen masive të votës, si dhe përfshiu, si kurrë më parë, grupet kriminale për të blerë vota, për të ushtruar presion e shantazh ndaj qytetarëve dhe komisionerëve. Tashmë, kjo nuk është më thjesht një akuzë politike — është realitet i dokumentuar me prova të pamohueshme, që kanë skandalizuar dhe faktorin ndërkombëtar.
Raporti final për zgjedhjet është në përfundim. Për shkak të volumit të madh, raporti i Task Forcës u vonua pak në kohë, por puna vijon intensivisht për ta përfunduar atë brenda pak ditëve. Në raport, ka një linjë të qartë: Në Shqipëri nuk pati një garë të ndershme elektorale, por u përball me aleancën mes partisë-shtet dhe krimit të organizuar. Që tani, shumë shqiptarë po kuptojnë se në 11 maj nuk humbi Sali Berisha, nuk humbi PD, por humbën ata vetë, humbi Shqipëria. Pas 11 majit, shqiptarët janë më keq, Shqipëria është me keq. Dhe përpara nuk kemi ditë aspak të mira për ekonominë e familjeve të shqiptarëve, për punësimin, për mirëqenien, për demokracinë dhe për liritë individuale. Kur OSBE/ODIHR thotë për herë të parë kaq hapur që në rreshtin e parë të raportit “contestants did not enjoy a level playing field”, pra se gara nuk ishte e barabartë, asgjë e mirë nuk pritet për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kush e votoi Edi Ramën për herë të katërt dhe pse?!
Në kushte normale demokratike, nuk do të kishim një mandat të katërt. Ajo që ndodhi nuk ishte votë e lirë, por një votë e prodhuar në laboratorët e manipulimit elektoral: përmes frikës, përmes presionit, përmes blerjes. Si mund të votohet me vullnet të lirë për herë të katërt një kryeministër që nuk i shpërndan pasuritë publike tek shqiptarët, por vetëm tek një grusht klientësh, që pastrojnë paratë e trafikut të drogës dhe korrupsionit?! Mund të llogarisni në votim dhe një administratë super të fryrë me rreth 200 mijë punonjës nën shantazh në nivel qendror dhe lokal. Faktet e tjera ju i dini, i keni parë me prova të publikuara nga zoti Berisha. Pas një qeverie që vjedh zgjedhjet, problemi kryesor është se ajo bashkëpunon me drejtësinë që mbulon vjedhjen e zgjedhjeve. Në një vend ku drejtësia funksionon, do të ishin pas hekurave të burgut, figurat më të larta të qeverisë dhe drejtuesit politikë të PS, bashkë me kandidatët e tyre drejtorë e ish- kryebashkiakë. Këtu, SPAK-u mbylli sytë, mbylli veshët, mbylli gojën dhe ruan fasadën e Edi Ramës.
Fatura politike, a bie mbi lidershipin e Partisë Demokratike?
Çdo lidership mban përgjegjësi për drejtimin e partisë, por ajo që ndodhi më 11 maj nuk ishte produkt i një gare të barabartë, ndaj edhe “fatura politike” nuk mund të diskutohet jashtë kontekstit të një procesi të deformuar. Ky ishte një proces që u ndërtua mbi frikë, presion dhe manipulim. Le ta themi qartë: fatura politike nuk mund të vendoset mbi një opozitë që lufton në terren të pabarabartë, në kushte të kapjes së shtetit dhe të deformimit të sistemit. Unë besoj se do të vijë dita që këtë faturë të rëndë për vendin dhe shqiptarët do ta paguajë Edi Rama, si ideator dhe zbatues i kthimit të votës në një mjet të dhunës politike. PD mund të ketë shumë probleme, por nuk do ta marrë kurrë përgjegjësinë për krimin zgjedhor të Edi Ramës. Unë besoj, gjithashtu, se, përballë qytetarëve, lidershipi i PDsë është i pari që ka mbajtur përgjegjësi. Dhe këtë e ka treguar me transparencë, me përballje, dhe me vendosmërinë për të mos heshtur përballë një regjimi që manipulon çdo proces.
Pas humbjes a duhet të dorëhiqet Sali Berisha nga drejtimi i PD-së? A besoni se partia bëhet më mirë pa të…?
Çështja nuk është dorëheqja e Sali Berishës, por mungesa e zgjedhjeve demokratike në Shqipëri dhe deformimi brutal i vullnetit të qytetarëve më 11 maj nga kreu i qeverisë. Në një vend normal, me zgjedhje të lira dhe institucione funksionale, mund të flisnim për reflektim dhe analizë. Por në Shqipëri, opozita përballet me një regjim që kontrollon gjithçka: nga vota te drejtësia. Nuk mendoj se është koha për të shpikur alibi me dorëheqje, por për të mbrojtur demokracinë, votën, të drejtat tona nga një regjim autoritar i kamufluar si demokraci në zhvillim e sipër. Të kërkosh dorëheqjen e Sali Berishës pas një procesi farsë do të thotë të pranosh lojën e Edi Ramës. Ne nuk do të duhet ta bëjmë këtë. Për më tepër, zoti Berisha është zgjedhur me votën e demokratëve dhe gëzon mbështetjen e shumicës së tyre. Kështu që, çështja e drejtimit të PD-së është një vendim që i takon anëtarësisë dhe jo kundërshtarëve politikë që kërkojnë të zhvendosin vëmendjen nga manipulimi i zgjedhjeve.
Në kushtet aktuale, nga duhet ta rifillojë PD-ja, si mund të rimëkëmbet…?
Nuk jam e sigurtë se fjala “rifillim” është ajo e duhura. Le ta quajmë një fazë të re për Partinë Demokratike. Gjithsesi, çfarëdo që ta quajmë, duhet të jetë një përgjigje ndaj asaj që ndodhi më 11 maj — një ditë kur nuk kishte zgjedhje, por ndodhi një përballje me një sistem të deformuar, ku vullneti i qytetarëve u dhunua. Kjo fazë e re duhet të jetë një vetëdije e çdo demokrati se për të përballuar këtë realitet, duhet të jemi më të organizuar, më të bashkuar, shumë më përfshirës me të rinj profesionistë dhe idealistë dhe shumë më pranë njerëzve. PD duhet të ketë si busull orientuese besimin e qytetarëve. Mbi të gjitha, ajo që duhet të na drejtojë në këtë periudhë të vështirë duhet të jetë vendosmëria për të mos pranuar më asnjë farsë si proces demokratik. Këtu nuk është më fjala vetëm për PD-në. Ne nuk kemi rrugë tjetër veçse të forcohemi që të mbajmë ndezur shpresën se Shqipëria mund të ketë zgjedhje të lira, demokraci të vërtetë dhe një qeveri që punon për njerëzit.
Burgosja e Erion Veliajt duket se do ta çojë Tiranën drejt zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e ri. A është e përgatitur opozita për një garë të tillë vendore së shpejti, dhe cilët janë mundësitë për fitore?
Nuk besoj se e keni seriozisht këtë pyetje. Në Shqipëri nuk janë bërë zgjedhje të vërteta që kur pushtetin e ka marrë Edi Rama. Vazhdoj të habitem sa herë në media flitet për garë, kur vetë OSBE/ODIHR thotë se në Shqipëri nuk ekzistojnë kushtet për garë reale mes qeverisë dhe opozitës. Nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme pa ndarë shtetin nga partia, pa ndarë shtetin nga krimi, pa reformuar drejtësinë e kapur, dhe pa garantuar lirinë e medias. Nëse këto kushte nuk plotësohen, çdo proces që quhet “zgjedhje” është thjesht një tjetër farsë. Nuk ka garë reale në një sistem ku çdo institucion është nën kontrollin e një partie të vetme, e një njeriu të vetëm, ku përdoren fondet publike për të blerë vota dhe ku SPAK hesht për krimet e qeverisë. Në lidhje me Tiranën, mendoj se nuk do të kemi zgjedhje tani së shpejti. Ju e dini që Edi Rama është i fiksuar pas çdo pushteti. Kështu që ka për ta mbajtur vetë edhe këtë post, sa më gjatë të mundet. Kryebashkiaku real i Tiranës është Edi Rama. Ai jep urdhra, cakton, shkarkon dhe mbledh çdo strukturë, në mënyrën më antikushtetuese dhe më antidemokratike të mundshme. Autonomia vendore është asgjësuar, njësoj siç është asgjësuar demokracia, zgjedhjet demokratike dhe vota e lirë.
Megjithatë a ka nisur brenda partisë diskutimi për emrat?
Sigurisht që jo! PD nuk është më prej kohësh një vegël që manipulohet nga Edi Rama.
Cilët janë rrugët që e çojnë opozitën drejt pushtetit?
Rruga që çon opozitën drejt pushtetit kalon vetëm përmes krijimit të kushteve reale për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Pa votë të lirë, nuk ka rotacion. Pa garë të ndershme, nuk ka legjitimitet. Kjo është thelbi i çdo demokracie funksionale. Për të arritur këtë, është e domosdoshme ndarja e shtetit nga partia, rikthimi i besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor dhe garantimi i standardeve ndërkombëtare. Zgjidhja më e arsyeshme dhe më realiste në kushtet aktuale është krijimi i një qeverie teknike, e cila të jetë përtej partive politike dhe të ketë një mandat të qartë: organizimin e zgjedhjeve me standarde ndërkombëtare. Kjo qeveri duhet të angazhohet për të zbatuar në mënyrë të menjëhershme e të plotë të gjitha rekomandimet e hershme dhe më të fundit të OSBE/ODIHR, si dhe të përmbushë kriteret e nevojshme për procesin e integrimit në BE. Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet legjitimiteti, besimi publik dhe rruga drejt një ndryshimi real politik në vend.
Sa i mundshëm është krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhjet e reja sepse pas 11 majit ngjan një rrugë jo e lehtë?
Krijimi i një qeverie teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk është një mision i lehtë, por nuk ka asgjë të pamundur. Çdo ditë e më shumë kjo po bëhet e domosdoshme. Kjo është rruga e vetme për të rikthyer besimin në procesin zgjedhor dhe për të garantuar që shqiptarët të votojnë të lirë, pa frikë dhe pa ndërhyrje. Opozita po punon në mënyrë intensive me partnerët ndërkombëtarë, duke ndarë me ta fakte, prova dhe një panoramë të qartë të kapjes së shtetit dhe deformimit të zgjedhjeve. Kemi gjetur mbështetje morale dhe politike për këtë kauzë, e cila është reflektuar tashmë në pesë rezoluta të miratuara nga tre prej grupimeve më të mëdha të qendrës së djathtë në Europë, përfshirë Partinë Popullore Europiane (EPP), Unionin Demokratik Ndërkombëtar (IDU) dhe Qendrën për Dialog dhe Aksion (CDI), të cilat në Rezolutat e miratuara kanë kërkuar krijimin e një qeverie teknike. Këto rezoluta, diskutimet kritike në PE dhe KE, janë një sinjal i qartë se kërkesa për zgjedhje të lira dhe për një qeveri që i paraprin atyre nuk është thjesht një kërkesë e opozitës shqiptare, por një standard demokratik që ndan Shqipërinë nga autokracia dhe e afron me BE.
Cila do të jetë strategjia e PD-së në shtator, kohë kur nis dhe Parlamenti i ri?
PD ka vetëdijen e plotë se përballja është më e vështirë se kurrë. Edi Rama ka sot një supermazhorancë, të ndërtuar mbi manipulimin dhe dhunimin e votës. Ky është realiteti i një lufte të pabarabartë, por kjo nuk do të thotë se opozita është e dobët. Përkundrazi! Unë shoh se opozita ka potencialin për të qenë më mirë e organizuar, shumë më vepruese dhe të përfaqësojë akoma më mirë interesat e njerëzve. Ne nuk kemi pse të luajmë sipas rregullave të një Parlamenti që është kthyer në zgjatim të shëmtuar dhe të dëmshëm të qeverisë. Ne duhet dhe do të jemi zëri i qytetarëve që nuk kanë më asnjë përfaqësim real. Në këtë klimë armiqësore, të krijuar nga Edi Rama, nuk ka vend për iluzione, por për vendosmëri. Dhe PD është gati për këtë përballje përmes koordinimit politik dhe qytetar brenda dhe jashtë Kuvendit.
A do të japë PD konsensus për reformën e re zgjedhore siç kërkon BE dhe OSBE-ja?
Pyetja duhet të ishte: A do të pranojë Edi Rama të bëjë një reformë zgjedhore, sepse që ta pranojë këtë duhet t’i lëshojë vendin dikujt tjetër që nuk mban mbi vete përgjegjësinë e manipulimit sistematik të zgjedhjeve në Shqipëri. Ne nuk kemi qenë kurrë pengesa as kur kemi qenë vetë në qeveri, përkundrazi, kemi pranuar kërkesat e PS-së në opozitë. Shqipëria nuk ka bërë reformë zgjedhore të vërtetë dhe konsensuale që kur Edi Rama erdhi në pushtet. Një fakt, që theksohet në çdo raport të OSBE/ ODIHR-it dhe të Komisionit Europian. PD ka qenë dhe mbetet e angazhuar për një reformë të vërtetë zgjedhore, që garanton standarde europiane dhe rikthen besimin e qytetarëve te vota. Ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë me të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë, përfshirë partnerët tanë ndërkombëtarë, për të ndërtuar një proces të ndershëm dhe gjithëpërfshirës. Por ne nuk mund ta gënjejmë veten. Sistemin zgjedhor nuk mund ta reformojë personi që e ka shkatërruar atë. Ky person quhet Edi Rama dhe me të nuk mund të ketë dialog të vërtetë. Nëse duam një reformë reale dhe jo një “make-up” politik, ajo duhet të nisë me njohjen e krizës së thellë zgjedhore dhe me ndarjen e qartë të shtetit nga partia. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një proces zgjedhor të besueshëm dhe të denjë për një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
A është koha për një rotacion në PD?
Nëse me rotacion kuptohet ndërrim emrash, kjo nuk është as thelbësore dhe as prioritet për Partinë Demokratike sot. Ajo që biem dakord të gjithë është se PD, përballë një makinerie monstruoze të manipulimit elektoral, ka nevojë për organizim më të mire dhe për përfshirje më të gjerë. Kjo nuk është as çështje rotacioni, as nuk ndodh me zëra të hedhur në media. Ky është një moment shumë delikat, që kërkon vendimmarrje të përgjegjshme përmes mekanizmave demokratikë brenda partisë. PD ka treguar që nuk i shmang debatet e brendshme, por sot prioriteti nuk është të ndryshojmë një individ me një tjetër, në çfarëdo niveli qoftë. Ne mund ta bëjmë edhe këtë, nëse i sjell diçka të mirë partisë, nëse e forcon PD-në, por do të ishte fatale për PD-në, që diskutimi për rotacion, siç e quani ju, të zëvendësonte, betejën më të rëndësishme për opozitën, për shqiptarët dhe për vendin: betejën për zgjedhje demokratike.
Dhe kush duhet te jetë pasardhësi i Berishës në krye të PD?
PD sot ka një kryetar legjitim, të zgjedhur me votën e lirë të mbi 50 mijë anëtarëve përmes parimit demokratik “një anëtar, një votë”. Ky është një mandat i qartë dhe i pakontestueshëm. Çdo diskutim për pasardhësin e tij është i parakohshëm dhe nuk i shërben as forcimit të opozitës dhe as sfidës madhore që kemi përballë: rikthimin e demokracisë përmes votës së lirë në Shqipëri. Është koha që ne të jemi të bashkuar dhe të qartë në betejën kundër një regjimi armik të votës së lirë dhe të të drejtave të shqiptarëve./Gazeta Panorama
