Një 27-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vaut të Dejës në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”, pasi dyshohet se ka kultivuar 180 bimë narkotike në fshatin Mnelë.

Shtetasi P. N., i cili ishte shpallur në kërkim prej muajit qershor, u identifikua si autor i dyshuar i kultivimit të lëndës narkotike në bashkëpunim me një 17-vjeçar, për të cilin vijojnë kërkimet. Bimët u gjetën dhe asgjësuan nga policia në qershor.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesën e babait të të arrestuarit, shtetasit Z. N., 62 vjeç, ku gjetën dhe sekuestruan një armë gjahu të mbajtur pa leje. Ndaj tij është nisur procedim penal në gjendje të lirë.

Policia e Vaut të Dejës vijon hetimet dhe operacionet për goditjen e kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në këtë zonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb