I dërguari special i Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff , do të udhëtojë nesër për në Gaza për të inspektuar pikat e shpërndarjes së ndihmës humanitare dhe për të zhvilluar një plan për furnizime të mëtejshme me ushqim për popullsinë . Siç njoftoi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, ai do të shoqërohet nga ambasadori i SHBA-së Mike Huckabee.
Sipas saj, vizita në Gaza është një vazhdim i “takimit produktiv” që Witkoff pati me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me qëllim lehtësimin e shpërndarjes së ndihmës në rajon.
Gjatë të njëjtit takim informues, Levitt u përpoq t’i jepte një ton festiv raportit të udhëtimit të fundit të presidentit amerikan në Skoci, duke deklaruar se “në më pak se 48 orë, Trump arriti marrëveshjen më të madhe dhe më të rëndësishme tregtare në histori dhe parandaloi një luftë të dytë në Azi”.
Duke iu referuar nismave ndërkombëtare të presidentit, zëdhënësja vuri në dukje se Donald Trump kontribuoi në mënyrë vendimtare në arritjen e një “armëpushi të menjëhershëm dhe pa kushte” midis Tajlandës dhe Kamboxhias. “Trump duhej ta kishte marrë Çmimin Nobel për Paqen shumë kohë më parë”, shtoi ajo.
(BalkanWeb)
