“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” (LZHK), përmes një deklarate publike të Ekrem Spahiut, ka reaguar ndaj draftit të ri të Kodit Penal të prezantuar nga Ministria e Drejtësisë, duke kërkuar jo vetëm tërheqjen e tij, por edhe rikthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri për krimet më të rënda.

Spahiu theksoi se ky draft ka ngjallur kundërshti të gjera, duke bashkuar në një front të përbashkët drejtues të institucioneve të drejtësisë, si Gjykata e Lartë, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, shoqata e avokatëve, juristë, konstitucionalistë dhe opozita.

Sipas LZHK, ndryshimi i Kodit Penal është i nevojshëm, por jo për të lehtësuar dënimet ndaj krimeve të rënda. Përkundrazi, ata kërkojnë ashpërsimin e masave ndëshkuese për vepra të tilla si vrasjet, krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafiku i drogës.

“Ky draft përmban dy prirje të rrezikshme: kriminalizon shkelje të vogla duke i trajtuar me burg dhe nga ana tjetër krijon hapësira për falje të vrasësve serialë me burgim të përjetshëm,” thuhet në deklaratë.

LZHK nënvizon se rikthimi i dënimit me vdekje duhet të konsiderohet për disa kategori veprash penale shumë të rënda, deri në momentin kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, duke e quajtur këtë masë një nevojë për të frenuar rritjen e kriminalitetit dhe për të rikthyer frikën ndaj ligjit.

Spahiu akuzoi gjithashtu politikën në nivelet më të larta për lidhje me krimin, duke thënë se drafti i ri favorizon lirimin e të dënuarve të rrezikshëm dhe rrënon besimin te drejtësia.

Në fund të deklaratës, LZHK i bëri thirrje institucioneve për të tërhequr menjëherë draftin e propozuar dhe ftoi qytetarët, juristët, shoqërinë civile dhe aktorët politikë që besojnë te shteti i së drejtës, ta kundërshtojnë me të gjitha mjetet këtë nismë.

“Krimi nuk ka frikë nga shteti. Vrasësi mendon se do të jetojë gjithsesi, ndaj dënimi me vdekje është i vetmi mesazh serioz që mund të japim,” përfundoi Spahiu.

Deklarata e plotë:

Kjo javë, si lajm kryesor ka draftin për Kodin e ri Penal, prezantuar pak ditë më parë nga Ministri i Drejtësisë. Ky draft ka ngjallur reagime të shumta dhe ka bashkuar si rrallë herë në një front të përbashkët grupet e interesit të lidhura me drejtësinë, sikurse janë shprehur deri më tani drejtuesit e Gjykates së Lartë, të Struktures së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të Prokurorisë së Përgjithëshme, të Shoqatës Kombëtare te Avokatëve të Shqipërisë, konstitucionalistët, juristët, opozita politike, etj.

“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” shpreh qëndrimin e saj se mbas 30 viteve të miratimit të Kodit Penal aktual, është e nevojshme të ndryshohet legjislacioni ynë penal me përkufizime më të qarta dhe masa që shkojnë në favor të mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të qytetarëve. Ndryshimi i Kodit Penal është i nevojshëm për të ashpërsuar dënimet ndaj krimeve shumë të rënda kundër jetës së njeriut, krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të drogës dhe krimeve të tjera të rënda dhe jo për t’i zbutur ato.

Në draftin e Kodit të ri Penal vihen re dy prirje të rrezikëshme: njera është ajo që shkeljet e vogla i klasifikon si vepra penale dhe i dënon me burgim, gjë që është një masë represive ndaj qytetarëve, ndërsa tjetra është ajo kur vrasësit serialë të dënuar me burgim të përjetshëm përfitojnë falje!

“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” ka një arsye më shumë që të reagojë për draftin e Kodit të ri Penal, sepse në mënyrë të vazhdueshme iu ka propozuar institucioneve të larta shtetërore që ndaj krimeve shumë të rënda kundër jetës të cilat janë në rritje, të rishikojnë sanksionet penale për t’i ashpërsuar ato dhe, për krime të veçanta deri edhe në rivendosjen e dënimit me vdekje.

LZHK në vazhdimësi është shprehur zyrtarisht dhe konkretisht: “Aktualisht krimi nuk ka frikë nga shteti, nuk ka frikë nga ligji. Vrasësi mendon se, përderisa është ndaluar dënimi me vdekje, të paktën do të jetojë, madje do të gjejë mënyra e mjete për të dalë nga burgu i përjetshëm. Prandaj është e domosdoshme që, për disa kategori të mirëpërcaktuara veprash penale shumë të rënda, në negocim dhe mirëkuptim me KE, të rikthehet dënimi me vdekje, deri sa Shqipëria të bëhet anëtare e BE.

Ky qëndrim i LZHK, jo vetëm që nuk u muar parasysh deri më tani por po tentohet e kundërta: Kodi i ri Penal krijon hapësira për lirimin e të burgosurëve me burgim të përjetshëm, duke vërtetuar qartë vlerësimin që ka bërë opozita në vazhdimësi se, politika e niveleve më të larta në Shqipëri është e lidhur me krimin e organizuar, pse jo e urdhëruar nga krimi.

Për sa më sipër ”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” rikonfirmon qëndrimin e saj se rikthimi i dënimit me vdekje në Shqipëri është domosdoshmëri!

”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” iu bënë thirrje institucioneve nismëtare që të tërheqin draftin e Kodit të ri Penal. Në të kundërt, ajo do t’i kërkojë çdo qytetari, intelektuali, juristi, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile, çdo aktori politik që beson te vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ta kundërshtojmë me të gjitha mënyrat këtë draft.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb