Një 41-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Divjakës, pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr masiv që përfshiu dhjetëra rrënjë ulliri në fshatin Kryekuq.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi D. T., banues në Kryekuq, kishte ndezur zjarr pranë rezervuarit të fshatit, me qëllim pastrimin e një sipërfaqeje toke nga barishtet. Por për shkak të përhapjes së flakëve, janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një banoreje të zonës.
Policia ndërhyri menjëherë dhe vuri në pranga autorin e dyshuar, ndërkohë që materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve për çfarëdo arsye, pasi veprime të tilla përbëjnë vepër penale dhe do të ndiqen me rigorozitet nga organet ligjzbatuese. Policia fton të gjithë qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të ngjashëm, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.
