Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Booking”, që çoi në goditjen e një tjetër rasti të ushtrimit të prostitucionit në qytet.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, pas një hetimi disa ditor të kryer me metoda proaktive. Si rezultat, u zbulua një apartament i marrë me qira në lagjen “5 Maji”, i cili përdorej për ushtrimin e prostitucionit nga dy shtetase të huaja.
Në pranga ranë shtetaset nga Kazakistani, A. A., 34 vjeç dhe A. A., 27 vjeç, të cilat sipas Policisë ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm në apartamentin e marrë me qira nga shtetasja R. Ç., 42 vjeçe, banuese në Elbasan. Kjo e fundit është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash në valuta të ndryshme, 3 aparate celularë dhe dokumentet personale të shtetaseve të arrestuara.
Ky operacion vjen vetëm një javë pasi Policia e Elbasanit zbuloi edhe dy raste të tjera të ngjashme, ku apartamente të tjera ishin marrë me qira nga shtetase të huaja për qëllime prostitucioni.
Materialet procedurale për këtë rast janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.
