Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim 3 të pandehur të akuzuar për tentativë vrasjeje ndaj shtetasve Durim Bami dhe Ervin Kodra, në ngjarjen e ndodhur më 4 nëntor 2020, në zonën e urës së Tapizës, Fushë Krujë.

Të pandehurit janë:

-Albert Zaja, i cili akuzohet si organizatori i sulmit me armë ndaj dy shtetasve dhe si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal;

-Elvis Ndreca, i cili dyshohet se ka siguruar kushtet për një tjetër vrasje të planifikuar ndaj shtetasit Durim Bami;

Ata përballen me akuza për “vrasje në tentativë”, “sigurim kushtesh për vrasje”, “mbajtje pa leje e armëve”, si dhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Njoftimi i SPAK

Dërgohen për gjykim 6 të pandehur për vepra penale të rënda

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), ka përfunduar hetimet paraprake të procedimit penal nr.59/2, të vitit 2022, duke dorëzuar në Gjykatë e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar:

I. Kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të të pandehurve:

Albert Zaja, i akuzuar për:
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen e shtetasve Durim Bami dhe Ervin Kodra, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal (nenet 79/dh, 22 dhe 28/4 të Kodit Penal);

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Hamza Terziu (nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal (nenet 278/1 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i Kodit Penal);
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334 i Kodit Penal).

Edison Muceku, i arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar më 10.01.2025 dhe ekstraduar në Shqipëri më 28.03.2025, i akuzuar për:
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Hamza Terziu (nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i të Kodit Penal);
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).

Elvis Ndreca, i akuzuar për:
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Durim Bami (nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i të Kodit Penal);
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).

Armando Ndreca, i akuzuar për:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal (nenet 283/3 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Grup i strukturuar kriminal” në formën e organizimit (neni 333/a/1 i Kodit Penal);
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).

Deivis Bajramaj, i akuzuar për:
“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, në formën e tregtimit dhe shitjes (nenet 278/6 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Grup i strukturuar kriminal” në formën e krijimit, drejtimit dhe organizimit (neni 333/a/1 i Kodit Penal);
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).

Adrian Pikli, i arrestuar në Gjermani më 17.05.2024 dhe ekstraduar më 16.07.2024, i akuzuar për:
“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, në formën e tregtimit (nenet 278/6 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i Kodit Penal);
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).
Dinamika e ngjarjeve të hetuara:

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, provohet se:

04.11.2020, Ura e Tapizës, Fushë Krujë – Albert Zaja dhe persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.
maj–korrik 2020 – Albert Zaja dhe Edison Muceku siguruan mjetet për vrasjen e shtetasit Hamza Terziu.
korrik–gusht 2020 – Elvis Ndreca siguroi mjetet për vrasjen e shtetasit Durim Bami.
tetor 2020 – Armando Ndreca organizoi dhe financoi grupin që prodhoi dhe shiti 243 kg kanabis në Lezhë.
2020–2021 – Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke i shitur edhe personave me precedent penal.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb