Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar sot në një postim në platformën e tij Truth Social se ka urdhëruar ekipin e tij të shkarkojë “menjëherë” Komisioneren e Statistikave të Punës, Erika McEntarfer.
Ky vendim vjen pas publikimit të një raporti të fundit që tregon se rritja e vendeve të punës në muajt maj, qershor dhe korrik ka qenë dukshëm më e ulët nga sa ishte raportuar fillimisht.
“Kam udhëzuar ekipin tim që ta shkarkojë këtë të emëruar politike të Bidenit, MENJËHERË. Ajo do të zëvendësohet me dikë shumë më kompetente dhe të kualifikuar”, shkroi Trump.
Presidenti nuk ofroi prova konkrete, por akuzoi McEntarfer për manipulim të qëllimshëm të të dhënave, me qëllim për të ndihmuar fushatën e zëvendëspresidentes Kamala Harris.
“Numra të rëndësishëm si ky duhet të jenë të drejtë dhe të saktë, ato nuk mund të manipulohen për qëllime politike”, shtoi ai.
Byroja e Statistikave të Punës (BLS) publikoi sot vlerësime të përditësuara, sipas të cilave rritja e vendeve të punës ka qenë shumë më e dobët se sa mendohej fillimisht. Për muajin maj, rritja prej 144,000 vendesh pune është rishikuar në vetëm 19,000, ndërsa për qershorin nga 147,000 në vetëm 14,000.
Ekspertët theksojnë se rishikimet janë një praktikë standarde në BLS, që ndodhin për shkak të vonesave në raportimin e të dhënave nga bizneset. Megjithatë, uljet për muajt maj dhe qershor janë konsideruar më të mëdha se zakonisht, duke nxitur debat për shëndetin aktual të tregut të punës.
Veprimi i Presidentit Trump ka ngjallur reagime të menjëhershme nga analistë dhe ish-zyrtarë të administratës publike, të cilët paralajmërojnë për rrezikun e ndërhyrjes politike në institucione të pavarura statistikore si BLS.
(BalkanWeb)
