Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se i dërguari i tij në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pati një “takim të shkëlqyer” në lidhje me ndihmën ushqimore gjatë udhëtimit të tij në rajon, mes kufizimeve të Izraelit në shpërndarjen e ndihmës humanitare kaq të nevojshme.
“Fola me Steve Witkoff. Ai pati një takim të shkëlqyer me shumë njerëz. Dhe takimi kryesor ishte për ushqimin, dhe ai pati edhe disa biseda të tjera për të cilat do t’ju tregoj më vonë, por ai pati një takim për t’i ushqyer njerëzit”, u tha Trump gazetarëve ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për pushimet e fundjavës në Klubin e tij të Golfit Bedminster në shtetin e New Jersey-t.
Komentet e tij erdhën ndërsa Witkoff dhe Ambasadori në Izrael Mike Huckabee vizituan qendrat e ndihmës në Gaza të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli.
Trump më parë pranoi se në Gaza ka “uri të vërtetë” dhe të enjten tha: “Është e tmerrshme ajo që po ndodh atje. Po, është një gjë e tmerrshme. Njerëzit janë shumë të uritur.”
Vizita u zhvillua mes kritikave në rritje ndaj koordinimit SHBA-Izrael në Gaza, veçanërisht në lidhje me modelin e shpërndarjes së GHF-së, të cilin palestinezët e kanë thënë se shërben si një mjet për zhvendosje nën maskën e ndihmës humanitare, si dhe një “kurth vdekjeprurës” për kërkuesit e ndihmës, me më shumë se 1,300 të vrarë që nga maji ndërsa prisnin për furnizime me ndihmë.
Që nga 7 tetori 2023, të paktën 154 palestinezë, përfshirë 89 fëmijë, kanë vdekur nga shkaqe që lidhen me urinë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 60,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.
(A.A/BalkanWeb)
