Eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha, i ftuar në rubrikën “Koha për t’u zgjuar” në News 24 foli për pensionet private.

Ai theksoi se skema aktuale e pensioneve nuk e përmbush interesin e qytetarëve dhe ka nevojë për ndërhyrje. Si zgjidhje, ai sugjeron përfshirjen e pensioneve private, ku kontribuojnë si punëmarrësit, ashtu edhe punëdhënësit.

Hoxha sqaroi se pensionet private ruajnë të njëjtat marrëdhënie juridike si pensionet shtetërore, përfshirë përfitimin nga bashkëshorti ose bashkëshortja.

Eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha: Pensionet janë jashtë mundësisë që të rriten në mënyrë të tillë, që të plotësojnë interesat e qytetarëve. Si alternativa janë dy kolona të tjera. Sigurimi i detyrueshëm është për ata që kryejnë funksione kushtetuese gjatë jetës së tyre si ministrat, drejtorët e përgjithshëm, kryetarët e bashkive, gjyqtarë etj, që është pension suplementar. Mbi bazë të viteve të punës, marrin një pension tjetër. Ky është shkaku pse këta marrin më shumë pension sesa pjesa tjetër e shoqërisë. Ata që marrin 100 mijë lekë të vjetra janë në gjendje të keqe sot në vendin tonë.

I ka ardhur koha që krahas përpjekjeve që të rregullojmë këtë skemë pensionesh, të futet edhe kolona e dytë. Vetë punëdhënësi bën pagesë për siguracion privat ose paguajnë secili nga pak siguracion, edhe punëdhënësi, edhe punëmarrësi. Me pensionin privat, ruhen marrëdhëniet juridike që janë dhe në pensionin shtetëror, ka të drejtë ta përfitojë bashkëshorti apo bashkëshortja, pra është pension familjar. Vendet e tjera prej kohësh e njohin pensionin privat, tashmë duket se dhe ne do ta aplikojmë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb