Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, po punon me palët drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Kështu janë përgjigjur zyrtarët e Brukselit, pasi presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë bisedës me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, nënvizoi rëndësinë e bisedimeve Kosovë-Serbi.

“BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin shpejt angazhimet e tyre ndaj Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre drejt BE-së. Rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” u nënvizua nga zyra e shtypit të Komisionit Evropian.

Pasi që në qershor u zhvillua një takim në nivel kryenegociatorësh, Bashkimi Evropian shpreh gatishmërinë që të organizojë raundin e ardhshëm të bisedimeve sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë për t’u takuar. Kjo, sipas zyrtarëve evropianë, vlen edhe për organizimin e takimit në nivelin më të lartë politik.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb