Publicisti i njohur Ben Blushi në një postim të tij në rrjetin social facebook, thotë se në Shqipëri nuk bëhet marketing ndërkombëtar për rritjen e të ardhurave që mund të vijnë kryesisht nga arsimi, por dhe fusha të tjera si ndërtimi, sportet etj.
Duke iu rikthyer një shkrimi të tijin për universitetet, Blushi thotë se sikur në Shqipëri të vijnë çdo vit një qind mijë studentë të huaj dhe seicili prej tyre të harxhojë vetëm dhjetë mijë dollarë, bëhet një miliardë dollarë në vit.
“Me pak mundim, me shumë marketing, kjo shifër mund të trefishohej për disa vjet”, thotë ai, teksa shkruan se universitetet mund t’i sillnin vendit më shumë se turizmi që duke u sforcuar sjell afro 4 miliardë euro në vit.
“Me kaq të ardhura pikëpyetjet për cilësinë e universiteteve tona do shuheshin rrugës, sepse qindra profesorë gjermanë, italianë anglezë, amerikanë do punonin në Shqipëri me shumë qejf”, thotë publicisti Ben Blushi në analizën e tij.
Më tej, ai përmend dhe sektorë të tjerë si ndërtimi ku sipas Blushit, ndërtuesit duan të na i shesin shtëpitë që ndërtojnë vetëm neve, shqiptarëve të Shqipërisë.
“Shqipëria ndërton me inat dhe me vrull më shumë se çdo vend tjetër në Evropë për frymë, por askush nuk e di kush do i blejë pallatet dhe vilat e saj të panumërta.
Shqiptarët që mund të blenin u ngopën dhe tani po mendohen të shesin.
Gjithmonë kam besuar se biznesmenët e Shqipërisë do tërhiqnin blerës suedezë, polakë, hollandezë, finlandezë, gjermanë, danezë, ukrainas dhe rusë për të blerë prona në det, por kjo nuk po ndodh.
Askush nuk u thotë këtyre popujve pa det dhe pa diell, se ka një vend në Mesdhe që shet apartamente më lirë se në Itali, në Greqi dhe Portugali e ndoshta edhe më lirë se në Mal të Zi.
Imagjinoni një norvegjez që jeton në mes të mjegullës, i ulur në divanin e vet, duke parë një reklamë që tregon se mund të blesh një shtëpi në Vlorë apo Sarandë për çerekun e çmimit që do e blente në Santorini apo në Majorka.
Ndërtuesit shqiptarë nuk harxhojnë asnjë lek marketing për t’i ngacmuar fantazinë norvegjezit që shikon shiun në dritare.
Shteti duhet t’i detyrojë kompanitë tona të reklamojnë në tregje ndërkombëtare.
Kjo është taksa e tyre e suksesit: të blejnë kohë televizve në televizonet evropiane për të reklamuar Shqipërinë”, shkruan Blushi.
Sipas tij, shpenzimet për marketing ndërkombëtar duhet të jenë një detyrim që shteti duhet t’ua kërkojë me çdo kusht kompanive shqiptare të ndërtimit, univesiteteve jo publike dhe klinikave estetike e spitaleve private.
