Ter Stegen dëshiron ta mbajë hapur “luftën” me Barcelonën, duke bërë një veprim shumë të rrezikshëm. Portieri dhe kapiteni i Barçës, siç raportohet nga ‘Mundo Deportivo’, ka refuzuar të nënshkruajë formularin e pëlqimit që dosja e tij mjekësore të dërgohet në komitetin mjekësor të La Ligas për shqyrtim dhe për të përcaktuar se sa kohë duhet të mungojë, pas operacionit të kryer në shpinë më 29 korrik. Ky vendim e bën situatën shumë të vështirë për klubin që e paguan, sepse refuzimi i tij bllokon mundësinë e përdorimit të uljes së pagës së tij si një opsion fair play për regjistrimin e Joan Garcías.
Presidenti Joan Laporta pranoi në Seul se mënyra “më e drejtpërdrejtë” për të regjistruar nënshkrimet ishte të shfrytëzohej dëmtimi i Ter Stegen.
Drejtuesit katalanas , të udhëhequr nga Laporta, janë shumë të pakënaqur me qëndrimin e Ter Stegen, por janë të bindur se ai do ta rishqyrtojë vendimin dhe do të bjerë dakord për dorëzimin e raportit të tij. Klubi kishte planifikuar të takohej me të këtë javë dhe po e mban takimin në axhendë pavarësisht lëvizjes së portierit gjerman. Një lëvizje që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e LaLigas.
Edhe pse Barcelona nuk dëshiron të djegë urat e komunikimit me Ter Stegen, sërish nuk do të rrijë duarkryq dhe ka vendosur t’ia kalojë çështjen shërbimeve të saj ligjore në mënyrë që ata të mund të hapin menjëherë një çështje disiplinore. Për më tepër, në takim, klubi do të informojë portierin për pasojat ligjore me të cilat mund të përballet.
Përveç kësaj situate, ekziston edhe një tjetër çështje që lidhet me shiritin e kapitenit. Shokët e ekipit, për momentin, janë në anën e tij, ndërsa klubi do të donte një ndryshim.
