Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka konfirmuar vendimin për masën “arrest me burg” ndaj ish-drejtorit të “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, dhe drejtorit aktual, shtetasit kinez Hongping Xiao. Seanca u zhvillua sot, ku ishte prezent edhe përfaqësuesi i ambasadës kineze në Tiranë.

Të arrestuarit kishin apeluar kundër masave të sigurisë që kishte vendosur më parë Gjykata e Fierit, por Apeli rrëzoi kërkesat e tyre dhe mbështeti qëndrimin e Prokurorisë. Megjithatë, për disa zyrtarë të tjerë të përfshirë në hetime, Gjykata e Apelit vendosi lehtësime në masat e sigurisë.

Nga pesë persona me masën “arrest shtëpie”, vetëm njëri mori lehtësimin duke iu zëvendësuar masa me “detyrim paraqitjeje”, për shkak të situatës familjare, pasi një prej tyre është prind i një fëmije 2-vjeçar. Ndërkohë, për tre të tjerë u hoq kufizimi për të dalë jashtë vendit, duke mbajtur në fuqi vetëm detyrimin për t’u paraqitur në polici gjyqësore.

Kështu sipas vendimit të APELIT :

Masa arrest me burg për:

Leonidha Çobo

Hongping Xiao

Masa arrest në shtëpi:

Lianyi Uang

Ardit Kero

Flavia Capo

Doina Goga   – hiqet masa arrestit në shtëpi, caktohet detyrim paraqitje

Kledi Xhani

Lihet ne fuqi Masa “detyrim paraqitje”, i hiqet  “ndalim largimi jashtë vendi”:

Majlinda Thana

Matilda Ibraliu

Erton Ademaj

Në total, dhjetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë ndodhen nën hetim për një sërë veprash penale të rënda, të lidhura me një skemë të dyshuar mashtrimi financiar që ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit shqiptar. Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë ngritur një skemë të sofistikuar për shmangien e detyrimeve tatimore, përfitime këto të paligjshme që kapin miliona euro. Fitimet e padeklaruara dyshohet se janë pastruar më pas përmes mekanizmave të pastrimit të parave.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: