Një grua ka humbur jetën dhe 9 persona të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të fuqishëm që ka përfshirë jugun e Francës, njoftuan autoritetet lokale më 6 gusht.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 11.000 hektarësh, ndërkohë që zjarri shpërtheu të martën pasdite. Si rezultat, 25 banesa janë dëmtuar ose janë shkatërruar në rajonin Aude, ku 1.500 zjarrfikës janë mobilizuar për të vënë situatën nën kontroll. Viktima ndodhej brenda shtëpisë së saj në momentin kur zjarri e përfshiu ndërtesën.

Sipas njoftimeve, shtatë zjarrfikës janë lënduar gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin, dy prej tyre janë në spital, ndërsa një person rezulton ende i zhdukur.

“Zjarri po avancon në një territor ku kushtet janë jashtëzakonisht të favorshme për përhapje,” tha Lucie Roesch, sekretare e përgjithshme e prefekturës së Audes. Ajo shtoi se po vëzhgojnë me kujdes perimetrin e zjarrit për të shmangur shfaqjen e vatrave të reja. Roesch paralajmëroi se zjarri nuk pritet të vihet nën kontroll për disa ditë, duke e cilësuar situatën si një ndërhyrje afatgjatë dhe të vështirë.

Në vitet e fundit, ky rajon i Francës është përballur me disa raste të zjarreve të mëdha. Shkencëtarët kanë theksuar se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po nxisin rritjen e ngjarjeve ekstreme të motit – më të shpeshta, më të forta dhe me kohëzgjatje më të gjatë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: