Transferimi i Ademola Lookman tek Inter është një nga temat më të nxehta në klub, pasi dëshirojnë me çdo kusht afrimin e nigerianit, por në të njëjtën kohë një nga detyrat urgjente të drejtuesve zikaltër është të shesin lojtarë, për të grumbulluar para.

Pasi e shitën Stankovic te Club Brugge për 9.5 milionë euro, Buchanan te Villarreal për 9 milionë euro, morën 4 milionë të tjera nga Sevilla pasi mbajtën 40% të kartonit të Agoume dhe 5 milionë euro të tjera nga Lens për Satrianon, klubi nga Milano pret vlera të larta edhe për disa futbollistë të tjerë.

Gazzeta dello Sport shkruan se kokëfortësia e Kristjan Asllanit për të luajtur vetëm me klube të niveleve të larta italiane që marrin pjesë në garat evropiane mbetet e pandryshuar. Mesfushori shqiptar, nuk dëshiron të luajë me Sassuolon dhe po pret ende për Bolognan ose Fiorentinën.

Vetëm pak ditë më parë Real Betis ofroi 15 mln euro për kartonin e Asllanit, por ky I fundit e refuzoi menjëherë, ndërsa Inter nuk është I gatshëm të pranojë huazime për shqiptarin, pasi kërkon largimin përfundimtar.

Nga ana tjetër, ziklatërit po presin që një çek me shumë të madhe të kalojë në arkat e ekipit për largimin e Mehdi Taremi. Sulmuesi iranian është pajtuar me faktin se e ardhmja e tij nuk është më Inter dhe nuk po pengon drejtuesit për ta transferuar diku tjetër, si disa nga shokët e skuadrës. Por dëshira e tij është të vijojë të luajë në Evropë për të provuar se është i denjë për të dhënë më të mirën e tij. Kjo është arsyeja pse të hënën ai refuzoi Flamengon, klubin e dytë brazilian pas Botafogos.

Ndërkohë, lëvizjet po vazhdojnë me shpejtësi për të lehtësuar largimin e Palacios, qendërmrbojtësit që mbërriti në Milano verën e kaluar nga Argjentina dhe u huazua te Monza në janar. Tetë paraqitjet e tij për Monzën janë dëshmi e mungesës së përshtatjes me stilin e lojës italiane. Nuk ka vend për të tek Inter dhe huazimi te Basel është shumë pranë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb