Botërori i Moto GP ka kaluar tashmë gjysmën e pushimeve verore, teksa mesi i gushtit do të gjejë pilotët në pistë për fundjavën e Austrisë.
Një rikthim që do të thërrasë menjëherë në apel liderin e kampionatit, Mark Markezin. Dominimi i pilotit të Dukatit ka qenë i jashtëzakonshëm, por në Red Bull Ring ai zbret me një mision të veçantë. Kjo pistë është një nga të paktat ku Markez nuk e ka provuar asnjëherë fitoren në klasin mbretëror të motorëve, së bashku me Portimaon dhe Indonezinë. Megjithatë, dominimi që piloti nga Çervera po demonstron këtë vit e bën Austrinë pikën e tij të parë të kthesës së madhe, një shans për të prishur këtë rekord negativ dhe për t’i dhënë një tjetër goditje kampionatit.
Gjatë kohës së tij me skuadrën Repsol Honda, spanjolli përjetoi duele intensive në Shpilberg kundër motorëve Dukati të Andrea Doviciozos dhe Horge Lorenzos, por fitorja gjithmonë i shpëtoi. Tani, në vitin e tij të parë si pilot për ekipin e fabrikës Borgo Panigale, ai mbërrin në një formë të jashtëzakonshme dhe me gjithçka në favorin e tij për t’i dhënë fund serisë pa suksese në Çmimin e Madh të Austrisë, event që do të mbahet më datat 15-17 gusht.
PENGESA PEKO – Françesko Banjaja është njeriu që duhet mposhtur në këtë pistë. Italiani ka fituar tri garat e fundit të së dielës në Austri, përveç sukseseve në Sprintet e viteve 2023 dhe 2024, duke arritur në një total prej pesë fitoresh radhazi në Red Bull Ring. Ky dominim absolut e bën atë kërcënimin kryesor për Mark Markez në një fundjavë që premton të jetë emocionuese. Situata në Kampionatin Botëror nuk mund të ishte më e favorshme për pilotin 32-vjeçar. Tetë herë kampioni i botës kryeson renditjen me 381 pikë nga 444 të mundshme pas 12 Çmimeve të Mëdha, një avantazh prej 120 pikësh ndaj vëllait të tij Aleks Markez dhe 168 ndaj Banjajas, shokut të tij të skuadrës.
Fushata e Markez ka qenë dërrmuese për rivalët: 11 fitore në garat e sprintit, tetë fitore në garat e së dielës dhe tetë dopieta sezonale, nga të cilat pesë radhazi në eventet e fundit. Për më tepër, numri 93 ka qenë në podium në 22 nga 24 garat e zhvilluara midis të shtunës dhe të dielës, shifra që demonstrojnë dominimin e tij absolut. Prandaj, Austria përfaqëson një mundësi kyçe, pasi një fitore në këtë pistë jo vetëm që do ta zgjeronte epërsinë e tij në kampionat, por gjithashtu do t’i lejonte të “eliminonte” një cirkuit tjetër nga lista e tij e detyrave në Moto GP, gjithashtu do t’i jepte një tjetër goditje Banjajas.
Nga ana tjetër, piloti italian kërkon të ruajë mbretërimin e tij në Red Bull Ring dhe të frenojë shokun e tij të skuadrës të rrisë më tej epërsinë. Kështu në Austri, Markez zbret me dëshirën për të bërë historinë, ndërsa përballë do të ketë mbi të gjithë, Banjajan, që synon ta ndalojë, ndërsa shfaqja është gati të fillojë.
