Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një intervistë për News24 ka komentuar zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë krizën politike në Kosovë, dialogun me Serbinë dhe incidentin me thirrje raciste në Kumanovë. Sipas tij, situatat e fundit kërkojnë një analizë të thelluar dhe veprime të qarta institucionale.
Elezi theksoi se Kosova po kalon një moment kritik për shkak të ngërçit politik dhe mungesës së funksionalitetit të plotë të institucioneve, çka sipas tij po ndikon drejtpërdrejt në procesin e dialogut me Serbinë.
“Kosova duhej të ishte e përgatitur për të përmbushur detyrimet e saj në procesin e dialogut me Serbinë. Vetëm pas kësaj mund të ushtrohej presion serioz ndaj Beogradit. Serbia ka probleme të brendshme, por strukturat drejtuese janë funksionale dhe mund të vazhdojnë bisedimet. Ndërkohë, Kosova nuk i ka këto kapacitete për shkak të situatës aktuale politike,” deklaroi ai.
Në lidhje me polemikën për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, i konsideruar rrezik për sigurinë kombëtare nga Presidentja Vjosa Osmani, Elezi tha se nëse këto akuza janë të vërteta, institucionet e sigurisë duhej të kishin ndërhyrë.
“Nëse Laban paraqet realisht kërcënim për sigurinë, siç është deklaruar zyrtarisht, atëherë autoritetet e Kosovës duhet të kishin vepruar, përfshirë edhe arrestimin e tij,” u shpreh ai.
Ndërsa për incidentin me thirrje antishqiptare gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, Elezi ngriti alarmin për një përpjekje të organizuar destabilizuese.
“Kumanova është një zonë pranë kufirit me Serbinë, dhe nuk përjashtohet dora e shërbimeve serbe dhe ruse për të tensionuar situatën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Ka shenja që ky është një skenar i mirëmenduar për të provokuar përçarje dhe destabilitet në rajon,” paralajmëroi ai.
