E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, u ka dërguar një porosi të qartë partive politike në vend që të shmangen çdo përpjekje për të bllokuar pjesëmarrjen e ndonjë partie në zgjedhje përmes taktikave politike apo procedurale.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Ambasadës në Facebook, u bë e ditur se gjatë kësaj jave, Prattipati ka zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, u takua me udhëheqësit e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së për të theksuar një parim thelbësor demokratik: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive të kualifikuara, përmes taktikave politike ose procedurale, minon demokracinë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në këto takime është diskutuar edhe për ngërçin aktual institucional dhe vonesën në konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.  Prattipati  i ka bërë thirrje  liderëve politikë për bashkëpunim dhe përmbushje të mandatit të dhënë nga qytetarët.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb