Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të njohur të violinës, Robert Papavrami, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës shqiptare dhe pedagog i disa brezave artistësh.
“Komisioni i Përhershëm i Arteve pranë Akademisë i shpreh ngushëllimet më të thella violinistit me famë botërore Tedi Papavrami për ndarjen nga jeta të babait dhe mësuesit të tij, Robert Papavrami,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Akademia e vlerëson humbjen si një zbrazëti të ndjeshme për shkollën shqiptare të violinës, por thekson se trashëgimia e tij artistike jeton përmes suksesit të Tedit dhe të shumë nxënësve të tjerë që ai formoi.
Robert Papavrami lindi në një familje tradicionale shqiptare, ku vlerat e detyrës dhe përkushtimit ndaj artit ishin themelore. Si pedagog i violinës për dekada të tëra, ai ndihmoi në formimin e dhjetëra violinistëve shqiptarë. Pas emigrimit në Francë, Papavrami themeloi një shkollë të re dhe vazhdoi me të njëjtin përkushtim për edukimin e talenteve të rinj, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën artistike të shumë muzikantëve.
Ndër nxënësit më të spikatur të tij është djali i tij, Tedi Papavrami, sot një emër i njohur në skenat më të mëdha ndërkombëtare të muzikës klasike.
Në vitin 2014, Robert Papavrami u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar. Në ceremoninë e organizuar në Kryeministri, miq, kolegë dhe ish-studentë të tij kujtuan me emocion figurën e “profesor Bertit”, siç njihej gjerësisht.
Vdekja e Robert Papavramit lë pas një trashëgimi të çmuar dhe një kujtim të paharrueshëm për të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të mësojnë prej tij.
