Shkencëtari iranian Rouzbeh Vadi, u ekzekutua të mërkurën për dhënien e informacionit në lidhje me programin bërthamor të Teheranit te Mossad , agjencia izraelite e spiunazhit.
Agjencia e lajmeve Mizan e Iranit raportoi të mërkurën se Vadi u dënua për spiunazh për Izraelin dhe për dhënien e informacionit në lidhje me një shkencëtar bërthamor i cili u vra në qershor gjatë sulmeve ajrore izraelite mbi Republikën Islamike.
“Objektet e rëndësishme ishin Fordow dhe Natanz (uzina të pasurimit të uraniumit), për të cilat dërgova informacione. “U thashë atyre se dija diçka për Fordow dhe ata (agjentët e Mossadit) më thanë të dërgoja gjithçka”, thotë Vady në një video që përmban rrëfimin e tij, sipas IRIB, i cili e publikoi atë.
“Hyrja dhe dalja e materialit bërthamor në Uzinën e Konvertimit të Uraniumit (UCF) dhe Uzinën e Fabrikimit të Karburantit (FMP) ishte shumë e rëndësishme për ta”, shton në video Vady, i cili mban një doktoraturë në fizikë bërthamore nga Universiteti i Teknologjisë Amir Kabir
.Një zë në video thotë se Vady u takua me agjentët e Mossadit pesë herë ndërsa ishte në Vjenë dhe iu kërkua të hapte një llogari kriptomonedhe për t’u paguar për shërbimet e tyre. I pandehuri thotë në video se Mossadi i premtoi atij një pasaportë të huaj kur përfundoi një kontratë afatgjatë.
Ekzekutimet e iranianëve të dënuar për spiunazh për Izraelin janë rritur ndjeshëm këtë vit, me të paktën tetë në muajt e fundit.
Izraeli kreu 12 ditë sulme ajrore në qershor duke synuar gjeneralët e lartë iranianë, shkencëtarët bërthamorë dhe uzinat bërthamore. Irani u përgjigj me një breshëri raketash dhe dronësh në Izrael.
(BalkanWeb)
