Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritan Hoti, në një lidhje direkte për “News24”, komentoi zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare, ku është projektuar një takim mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, në përpjekje për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.

Sipas Hotit, takimi në fjalë mund të shënojë një kthesë të rëndësishme, përfshirë edhe një mundësi për pezullim të sulmeve ajrore ruse ndaj Ukrainës.

“Një takim është projektuar dhe mund të kemi një pezullim të sulmeve ajrore ruse ndaj Ukrainës, ndërsa ka edhe një projeksion të një takimi ku do të përfshihet edhe Zelensky”, tha Hoti, duke shtuar se një përballje e drejtpërdrejtë mes Putinit dhe presidentit ukrainas do të kishte domethënie të forta politike.

“Nëse do të kemi një takim mes Putin dhe Zelenskyt, kjo do të thotë që presidenti rus e pranon legjitimitetin e Zelenskyt si president, të cilin më herët e ka delegjitimuar. Kjo po ashtu tregon se ky konflikt mund të mbërrijë në një zgjidhje, nëse ka një sërë takimesh të niveleve të larta”, shtoi eksperti.

Deklaratat e Hotit vijnë në një moment kur diplomacia ndërkombëtare është intensifikuar, me qëllimin për të ndalur luftën dhe për të ulur palët në një tryezë dialogu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb