Gjoricë, Bulqizë – Fusha e Gjoricës, në Njësinë Administrative Gjoricë të Bashkisë Bulqizë, dikur një vend me rëndësi historike, sot paraqitet në një gjendje të rëndë mjedisore. Hapësira që dikur ka qenë vend i Kuvendit të nëntë maleve të Dibrës, ku u organizua rezistenca kundër pushtimit osman në shekullin XVIII, është mbuluar nga qindra metra kub mbeturina dhe inerte.
Në mes të kësaj fushe qëndron ende një lapidar përkujtimor, si dëshmi e së kaluarës së lavdishme, por kontrasti mes historisë dhe ndotjes është i dhimbshëm. Banorët e zonës janë treguar të pakujdesshëm, duke e përdorur fushën si vendgrumbullim mbetjesh, ndërkohë që institucionet vendore nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për pastrimin e saj. Ndotja ka prekur edhe varrezat e fshatit, duke shtuar indinjatën e komunitetit.

Fadil Kaja, banor i fshatit Gjoricë, e cilëson situatën si një turp dhe dëshmi të braktisjes institucionale.
“Fusha e Gjoricës, dikur vendi i kuvendit të nëntë maleve të Dibrës që zbrapsi Hajredin Pashën me 12 taborë, sot mund të quhet fusha e mbetjeve”, tha ai.
Banorët apelojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për pastrimin e zonës dhe kthimin e dinjitetit të këtij vendi me vlera historike dhe simbolike për komunitetin dhe më gjerë.
