Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në Pikën Kufitare të Kakavijës, në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, si pasojë e fluksit të shtuar të qytetarëve që vijnë drejt Shqipërisë për pushimet e verës. Kolona nga pala greke ka arritur deri në 3 kilometra gjatësi.
Përballë këtij fluksi të lartë, pala shqiptare po punon me tre sportele, ndërsa pala greke me dy, por vonesat vijojnë për shkak të numrit të madh të udhëtarëve.
Sipas të dhënave zyrtare nga PKK Kakavijë, gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar gjithsej 15,112 shtetas në hyrje-dalje – prej të cilëve 10,551 kanë hyrë në territorin shqiptar dhe 4,561 kanë dalë. Gjithashtu, janë përpunuar 4,942 mjete, nga të cilat 3,578 në hyrje dhe 1,364 në dalje.
Ky intensitet pritet të vazhdojë deri më 15 gusht, datë që përkon me festën e Shën Mërisë, një ndër ngjarjet më të rëndësishme fetare për komunitetin ortodoks. Pas kësaj date, pritet që fluksi të zhvendoset në dalje nga territori shqiptar, ndërsa gushti konsiderohet periudha më e ngarkuar për këtë pikë kufitare gjatë gjithë sezonit veror.
