Organizata Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka reaguar pas ndërhyrjes së policisë në ambientet e televizionit News24, ku gazetarët u nxorën me forcë dhe sinjali i transmetimit u ndërpre.
Në deklaratën e saj, organizata e Diasporës e cilëson ngjarjen si “një akt që përbën përshkallëzim serioz të shqetësimeve për lirinë e medias, duke cenuar të drejtat kushtetuese dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt standardeve evropiane”.
Kjo organizatë i bën thirrje shoqërisë civile, opozitës politike dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë fuqishëm ndaj asaj që e konsideron një veprim të papranueshëm.
Reagimi i plotë:
Ajo që po ndodh me News 24 ngre shumë pikëpyetje, shumë prej tyre janë të vështira për t’u sqaruar menjehere. Vetëm disa ditë më parë pamë largimin e disa prej gazetarëve më të talentuar; sot, një institucion mediatik po goditet me një akt që përbën përshkallëzim serioz të shqetësimeve për lirinë e medias, duke cenuar të drejtat kushtetuese dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt standardeve evropiane. Sulmi ndaj një shtypi (pavarësisht emrit apo pronarit) është gjithmonë sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë.
Një shtet që synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian duhet të përdorë forcën e argumentit dhe të dialogut, jo drynat dhe uniformat policore.
U bëjmë thirrje qytetarëve, partive opozitare, shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare të reagojnë fuqishëm ndaj këtij akti të papranueshëm.Shqipëria nuk mund të ecë drejt Evropës me praktika që na kthejnë pas në kohë.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë do të vazhdojë të mbështesë çdo gazetar të lirë, çdo media të pavarur dhe çdo qytetar që ngre zërin kundër padrejtësisë dhe keqqeverisjes.
