Koalicioni më i madh i organizatave evropiane për Reagimin e Shpejtë për Lirinë e Medias, përmes një deklarate zyrtare ka reaguar ndaj sulmit ndaj News24 dhe mediave të tjera të Focus Media News, si dhe ndërprerjen e sinjalit të TV News24.
Në reagimin zyrtar thuhet se “në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit 2025, Policia e Shtetit rrethoi godinën e Focus Media Group në Tiranë, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre mediat News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Gjatë operacionit policor u ndërpre energjia elektrike, duke e lënë News24 pa sinjal transmetimi, ndërsa gazetarët dhe stafi u penguan të hynin në redaksi, gjë që paralizoi punën e disa redaksive njëherësh dhe i privojë qytetarët nga informacioni.
Sipas përfaqësuesve të Focus Media Group, operacioni u krye pa njoftim paraprak, pa vendim gjykate të aksesueshëm publikisht dhe pa urdhër ligjor. Që prej orës 10:00 të datës 9 gusht, Neës24 ka vijuar transmetimin vetëm përmes kanalit të tij në YouTube”, thuhet në reagim.
Më tej kjo Organizata I referohet rrjetit SafeJournalists, që dënoi ashpër operacionin policor, duke kujtuar se “edhe kur ndodhin mosmarrëveshje të tilla, çdo veprim që prek median duhet të ndjekë procesin e rregullt ligjor, të bazohet në një mandat të qartë ligjor dhe të sigurojë ndërhyrje minimale në punën e gazetarëve dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.”
Edhe shoqatat shqiptare të anëtarësuara në Federatën Evropiane të Gazetarëve (AGSH, AEJ Albania dhe APJ Albania) e dënuan incidentin si një shkelje të drejtpërdrejtë të lirisë së medias në Shqipëri, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të aksesit të gazetarëve në vendin e punës dhe publikimin transparent të bazës ligjore të veprimit.
