Autori i emisionit “Vetting” Ardian Bushi, thotë se me heqjen e sinjalit të News24 i vunë shkelmin zërit më të fortë të shqiptarëve.

:Nesër mund të jetë radha jote. Mos hesht”, thotë Bushi në një deklaratë të tijën.

“Tre ditë pas ndërprerjes së sinjalit të News24, dera ku hynim çdo ditë për të punuar u kthye në një skenë rrethimi.

Pas kangjellave, policia ushtarake dhe forcat e rendit mbulonin godinën. Brenda saj, punonjës të IMT-së shembnin një pjesë të ndërtesës duke shembur njëkohësisht edhe një pjesë të djersës, mundit dhe dinjitetit tonë professional”, thotë në mesazhin e tij autori i emisionit “Vetting” Ardian Bushi.

Deklarata e plotë

“Sot mbyllën News24. Jo me vendim gjykate, jo me ligj – por me urdhra verbalë, policë dhe fadroma. Sot i vunë shkelmin zërit më të fortë të shqiptarëve. Nesër mund të jetë radha jote. Mos hesht.”

Tre ditë pas ndërprerjes së sinjalit të News24, dera ku hynim çdo ditë për të punuar u kthye në një skenë rrethimi. Pas kangjellave, policia ushtarake dhe forcat e rendit mbulonin godinën. Brenda saj, punonjës të IMT-së shembnin një pjesë të ndërtesës duke shembur njëkohësisht edhe një pjesë të djersës, mundit dhe dinjitetit tonë profesional.

Asnjë vendim gjykate. Asnjë procedurë përmbarimore. Vetëm urdhra verbalë, të paligjshëm. Kjo nuk është zbatimi i ligjit është përdhosje e ligjit.

Kjo nuk është thjesht mbyllja e një televizioni.

Kjo është një sulm i hapur mbi lirinë e fjalës, mbi të drejtën për të pyetur dhe për të denoncuar korrupsionin. Sot është News24. Nesër mund të jetë media ku punon ti. Pasnesër mund të jetë zëri yt në rrjetet sociale.

Ngjarja e sotme është një deja-vu e errët nga koha e diktaturës, kur poetët, intelektualët dhe gazetarët e pavarur shuanin zërin mes dhunës së pushtetit. Hafzi Nela u var për një poezi. Sot, ne nuk na vranë fizikisht, por përpiqen të na varrosin me heshtje.

Turpi më i madh nuk është dhuna, por heshtja.

Shumë kolegë erdhën e na përshëndetën, por mediat e tyre nuk folën. Solidariteti ynë është bërë selektiv. Dhe kjo heshtje është benzina që ushqen makinerinë e shuarjes së zërit të lirë.

Në botë, kjo histori ka ndodhur edhe diku tjetër. Në Turqi, në Hungari, në vende ku demokracia u rrëzua hap pas hapi, duke nisur me mbylljen e mediave kritike. Shqipëria po ecën në të njëjtën rrugë, dhe çdo hap i heshtur na çon më afër greminës.

Nëse sot pranojmë mbylljen e një zëri të lirë, nesër do të jetë shumë vonë për ta shpëtuar fjalën tonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb