Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje sot për një mision “stabilizimi” të OKB-së për të mbrojtur popullsinë civile në Gaza dhe për të çarmatosur Hamasin, ndërsa zemërimi ndërkombëtar rritet rreth planit të Izraelit për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës.
Zgjerimi i konfliktit i shpallur nga Izraeli përbën “një katastrofë me gravitet të paparë dhe një nxitim të menjëhershëm drejt një lufte të përhershme. Pengjet izraelite dhe populli i Gazës do të vazhdojnë të jenë viktimat e para të kësaj strategjie”, tha Macron në një deklaratë të hënën.
Thirrja e udhëheqësit francez pasqyron një dokument të nënshkruar nga 17 vende, Bashkimi Evropian dhe Lidhja Arabe në korrik, i cili bëri thirrje për një mision të tillë, nëse kërkohet nga Autoriteti Palestinez.
Forca e përkohshme, për të cilën disa nënshkrues ishin të gatshëm të siguronin trupa, do të mbronte popullsinë civile, do të monitoronte çdo marrëveshje paqeje të ardhshme dhe do të mbikqyrte transferimin e përgjegjësive të sigurisë tek Autoriteti i Palestinës në Gaza.
“Kjo luftë duhet të përfundojë tani me një armëpushim të përhershëm”, tha presidenti francez, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së, anëtar i përhershëm i të cilit është Franca, që të krijojë një forcë të tillë paqeruajtëse.
“Është e vetmja mënyrë e besueshme për të filluar të dalim nga lufta e përhershme dhe për të rindërtuar paqen dhe sigurinë për të gjithë”, tha Macron.
(BalkanWeb)
