Nuk ndalet dhuna shtetërore ndaj televizionit informativ News24 dhe gazetarëve të Focus Media News. Pas fikjes së sinjalit prej 4 ditësh tanimë, mbrëmë janë grabitur kompjuterat dhe materialet e punës së gazetarëve.

Paligjshmëria e nisur mëngjesin e 9 gushtit ka arritur nivele të paimagjinueshme dhe hyrja e civilëve brenda godinave të televizionit, pa asnjë autorizim, vulosi atë që njihet tashmë si akti më barbar i bërë ndonjëherë ndaj një media në Shqipëri.

Nuk u mjaftuan vetëm me zaptimin e mjediseve, por dje (11 gusht) janë sekuestruar, pa vendim gjyqësor, edhe tavolinat e karriget e zyrave.

Një veprim i pashpjegueshëm dhe që shkon përtej çdo limiti dhe në kundërshtim flagrant me ligjin. Njëkohësisht ka të dhëna se janë çmontuar nga ambientet e News24, të uzurpuara nga Policia e Shtetit dhe ajo Ushtarake, nën urdhër tashmë të drejtorit të KAYO, Ardi Veliu, edhe pajisjet e transmetimit.

Dhjetëra kamionë kanë hyrë dhe dalë nga ambientet e News24, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë transparencë për veprimet e tyre, por kanë plaçkitur mizorisht pronat e televizionit informativ.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb