Deputetja e PD, Ina Zhupa denoncon plaçkitjen e News24 duke e konsideruar terrorin shtetëror ndaj televizionit më të madh informativ në vend, si një veprim banditesk dhe të paligjshëm. Ajo thekson se marrja e sendeve personale të gazetarëve është bërë pa asnjë bazë ligjore.
Zhupa dënon dhunën ndaj gazetarëve dhe mungesën e dokumentacionit zyrtar nga policia gjatë bastisjes në ambientet e News24.
Ligjvënësja demokrate e cilëson këtë sulm si një kërcënim ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së informimit, të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane. Sipas saj, qeveria po përpiqet të heshtë gazetarinë investigative duke marrë materialet e punës së gazetarëve në mënyrë që denoncimet e tyre të mos dalin në pah.
Postimi i deputetes së PD, Ina Zhupa:
Halli nuk ishte një godinë! Halli ishte të venë “armët në kokë” fjalës së lirë dhe gazetarëve dhe jo se ku do prodhojnë armë!
Bastisin median pa asnjë shkresë dhe dhunojnë gazetarët që kërkojnë të shikojnë se ku bazohet ky veprim në shkresë zyrtare.
Ky nuk ështe shtet ligjor, kjo është sjellje banditeske. Pamje që ngjajnë me republika diktatoriale ku natën sulmohen “armiqtë e popullit”, të pabindurit e partisë.
Persona civil që po bastisin ambientet e News24, duke rrëmbyer pa asnjë të drejtë ligjore materialet e punës, kompjuterat dhe dokumentat e gazetarëve po kryejnë një shkelje të rëndë me urdhër politik.
Kërkesës për të paraqitur një shkresë zyrtare se ku e bazonin këtë veprim Policia e Shtetit i është përgjigjur me dhunë ndaj kryetarit të Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë Isa Myzyraj dhe gazetarit Osman Stafa.
Marrja e materialeve të punës së gazetarëve është e paprecedent dhe e paligjshme! Këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të lirisë së medias, të drejtës së informimit dhe mbrojtjes së burimeve konfidenciale të gazetarëve, parime të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe praktika e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Për këdo që ende kishte dyshime tashmë kuptohet qartësisht arbitrariteti i një qeverie që nuk ka hallin e një godine, por ka hallin të heshti gazetarët, të zhduk materialet investigative nga kompjuteri i Klodi Lales, i Osman Stafës dhe të gjithë gazetarëve kurajoz të këtij grupi mediatik.
(BalkanWeb)
