Finalizohet operacioni policor i koduar “The Script 2″.
Si pasojë janë proceduar penalisht  administratorët e tre subjekteve pasi fshihnin të ardhurat që përfitonin nga këmbimi i valutave.

Blutë kanë sekuestruar nga këto subjekte rreth 6.152.430 lekë në valuta të ndryshme.

Njoftim i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me struktura të tjera të DVP Elbasan, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacionin policor të koduar “The Script 2”.

Gjatë operacionit, janë ushtruar kontrolle në subjektet për këmbimin e valutave (exchange), në qytetin e Elbasanit. Nga kontrollet rezultoi se administratorët e 3 subjekteve të tilla nuk deklaronin të ardhurat që përfitonin.

Në përfundim të veprimeve për këto raate, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për administratorët e 3 subjekteve, shtetasit R. K., 62 vjeç, B. L., 63 vjeç, dhe A. N., 58 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 6 152 430 lekë në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paunde etj).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb