Avokati Gylsen Zhllima ka reaguar për ndërprerjen e sinjalit të televizionit News24, duke e cilësuar atë si një veprim politik dhe jo një mosmarrëveshje civile apo administrative.

Sipas tij, ky është një hap i qartë i qeverisë drejt marrjes së kontrollit mbi median, pas kapjes së pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor gjatë tre mandateve të kryeministrit Edi Rama.

Zhllima akuzon Partinë Socialiste se prej vitit 2013 ka shkatërruar demokracinë në vend, duke përdorur pushtetin për të goditur edhe figurat e saj të brendshme, sipas një skenari të ngjashëm me periudhën 1944-1990.

Ai paralajmëron se mandati i katërt i Ramës (2025-2029) po nis me “pushtetin e katërt” – median – dhe se ndërprerja e sinjalit të News24 lidhet me luftën e brendshme në Partinë Socialiste.

“Pushteti absolut nuk largohet me rotacion, por me bashkim forcash kundër këtij regjimi totalitar,” shprehet Zhllima, duke theksuar se sulmi ndaj News24 është një sinjal alarmi për lirinë e fjalës në Shqipëri.

Ai u bën thirrje qytetarëve të reagojnë, pavarësisht bindjeve politike, pasi “veprimet e pushtetit abuziv mund të prekin këdo.”

Rragimi i plote

Ndërprerja e sinjalit të News24 është politike e jo mosmarrëveshje civile apo administrative.

Rezultati i 11 majit 2025 i dha fuqi partisë shtet, pushtet për t’u bashkuar në një forcë të vetme për të vazhduar shkatërrimin e Shqipërisë, me pretekstin e “investitorit strategjik”. Partia Socialiste, që nga viti 2013, ka shkatërruar Shqipërinë dhe nuk ndërtoi një Shqipëri europiane, demokratike dhe të lirë. Shqipëria akoma nuk është demokratike sepse, sipas militantëve, “fajin” e kanë Saliu dhe Iliri, ndërkohë që Partia Socialiste ka arritur rekordin e futjes në burg të shokëve të partisë sipas manualit 1944-1990.

Të gjithë heshtëm sepse menduam se rendi kushtetues nuk rrezikohej dhe se të huajt nuk do ta lejonin të bënte sipas qejfit ato që donte ai. Por ajo që na treguan të huajt ishte kompromis me pushtetin dhe lejuan Ramën që, brenda 12 viteve, të bënte gjithçka me betimin dhe mirëbesimin e tyre, duke marrë gradualisht pushtetet.

Rama, në mandatin e parë 2013-2017, mori pushtetin ekzekutiv.

Rama, në mandatin e dytë 2017-2021, mori pushtetin legjislativ.

Rama, në mandatin e tretë 2021-2025, mori pushtetin gjyqësor.

Rama, në mandatin e katërt 2025-2029 (?!), lëviz me shpejtësi dhe pa mbaruar mirë e mirë mandatin e tretë, duke nisur aksionin e tij për marrjen e pushtetit të katërt – atij mediatik. Ndërprerja e sinjalit të News 24 nuk është thjesht një mosmarrëveshje civile apo administrative, as një konflikt midis pronarit të televizionit dhe pushtetit, por pas kësaj fshihet lufta e brendshme në Partinë Socialiste.

Heshtja ndaj këtij akti nuk duhet pranuar, por duhet reaguar sa më shpejt dhe pa asnjë paragjykim. Veprimet e pushtetit abuziv mund, dhe mbase do, të prekin edhe ty, pavarësisht nëse ke apo jo të njëjtin qëndrim politik apo social me pjesën tjetër të shoqërisë.

Pushteti absolut nuk ikën sepse vjen dita e rotacionit, por ikën duke u bashkuar forcat për të mundur këtë regjim totalitar. Mos u futni në lojën e atyre që ju thonë të merremi me emrat, sepse ata duan të bëjnë që të mos merremi me kauzën që shtrohet për mbrojtje; qëllimi i tyre është të paragjykoni aksionin duke përdorur argumentin se në aksion janë emra të vjetër. Qëllimi i këtyre është heqja e vëmendjes nga kauza, gjë që shkon në favor të pushtetit. Pushteti do t’ju thotë “mos i bëni mbrojtës individëve sepse ata ju përdorin”, por jo, nuk bëhet fjalë për individë kur cënohet liria e fjalës dhe, për më tepër, po vjen një kod penal ku qëllimi është burgu.

Qëllimi i përbashkët është largimi i keqqeverisjes aktuale, e cila është kapur në flagrancë duke abuzuar me tendera publikë sikur të ishin pronë e trashëguar.

Reagimi dhe aksioni fillojnë për mbrojtjen e sinjalit të News 24, sepse ai u ndalua nga persona që nuk njohin rendin kushtetues dhe ligjor në vend. Reago edhe ti ndaj kësaj padrejtësie, sepse mund të jesh viktima e radhës.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb