Shefi i OKB-së e paralajmëroi Izraelin se Kombet e Bashkuara kanë “informacion të besueshëm” për dhunë seksuale dhe shkelje të tjera nga forcat izraelite kundër palestinezëve të arrestuar, të cilat ambasadori i Izraelit në OKB i hodhi poshtë duke i konsideruar si “akuza të pabaza”, sipas AP.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha në një letër drejtuar ambasadorit Danny Danon se ishte “thellësisht i shqetësuar” për shkeljet e raportuara kundër palestinezëve nga ushtria dhe forcat e sigurisë izraelite në disa burgje, në qendrën e paraburgimit dhe në një bazë ushtarake.
Guterres tha se po i njoftonte forcat izraelite se ato mund të listoheshin si abuzues në raportin e tij të ardhshëm mbi dhunën seksuale në konflikt – për shkak të shqetësimeve të konsiderueshme – për modelet e formave të caktuara të dhunës seksuale që janë dokumentuar vazhdimisht nga Kombet e Bashkuara.
Danon, i cili shpërndau letrën dhe përgjigjen e tij, tha se akuzat “ishin të mbushura me botime të njëanshme”.
“OKB duhet të përqendrohet në krimet tronditëse të luftës dhe dhunën seksuale të Hamasit dhe lirimin e të gjithë pengjeve”, tha ai.
Danon po i referohej sulmit të papritur të grupit militant në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku rreth 1 200 persona u vranë dhe rreth 250 u morën peng.
Autoritetet izraelite thanë se gratë u përdhunuan dhe u abuzuan seksualisht.
