Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën e rëndë të zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit. Ajo shprehet se lutjet e saj janë për jetën e banorëve dhe efektivëve që po luftojnë në kushte ekstreme për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve të prekura.

Xhixho e cilëson situatën si të paralajmëruar, duke akuzuar qeverinë për dështim total në sigurimin e kapaciteteve të nevojshme për menaxhimin e emergjencave civile. Sipas saj, Shqipëria përballet çdo verë me zjarre dhe çdo dimër me përmbytje, për shkak të korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes.

“Sot, efektivëve të Forcave të Armatosura u duhet të luftojnë me flakët me mjete primitive, sepse paratë që mund të ishin përdorur për blerjen e mjeteve janë zhdukur në gropat thithëse të korrupsionit,” shkruan Xhixho, duke theksuar se vendi nuk ka asnjë mjet të specializuar për ndërhyrje ajrore në raste zjarresh.

Deputetja krahasoi koston e një avioni të tipit “Fire Boss”, rreth 3.5 milionë euro, me shpenzimet për projektet luksoze të qeverisë. “Më pak se Kopshti i Edenit në oborrin e Kryeministrisë. Është për të ardhur keq sesi paratë për luksin qeveritar derdhen lumë, por mungojnë për të shpëtuar Shqipërinë nga flakët,” përfundon reagimi i saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb