Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) ka reaguar zyrtarisht pas ndërhyrjes së policisë në mëngjesin e 9 gushtit, kur forcat e rendit rrethuan godinën në Tiranë ku operojnë disa media, ndërprenë furnizimin me energji elektrike dhe bllokuan hyrjen e gazetarëve e stafit. Si pasojë, transmetimi i News24 u ndërpre menjëherë.

Sipas Focus Media Group, ndërprerja e sinjalit televiziv është bërë pa asnjë paralajmërim. ECPMF shpjegon se veprimi i policisë lidhet me një mosmarrëveshje pronësie mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group për qiratë dhe procedurat, por thekson se ndërhyrja është kryer “nën baza të paqarta ligjore dhe pa respektuar procesin e rregullt ligjor”.

Prej 9 gushtit, një nga platformat kryesore kombëtare të informacionit, News24, është jashtë transmetimit. Deri më 12 gusht 2025, nuk ka asnjë qartësi se kur do të rifillojë transmetimi dhe çfarë do të ndodhë me gazetarët, punonjësit e medias dhe stafin mbështetës të Focus Media Group.

Organizata i bën thirrje autoriteteve shqiptare që:

-të sqarojnë publikisht bazën ligjore, arsyen dhe urgjencën e ndërhyrjes së 9 gushtit, përfshirë proporcionalitetin e masës dhe mundësinë e alternativave më pak kufizuese;

-të heqin kordonin e policisë, të rikthejnë energjinë elektrike dhe të lejojnë hyrjen e lirë të gazetarëve në redaksi;

-të mbrojnë materialet dhe infrastrukturën gazetare, duke shmangur sekuestrimin ose dëmtimin e tyre;

-të garantojnë të drejtat e punonjësve gjatë ndërprerjes së punës dhe të sigurojnë pagesat e rrogave e kontributeve;

-të publikojnë urdhrat ligjorë dhe afatet për heqjen e masave, duke mundësuar ankimim efektiv;

-të hetojnë çdo pengim të punës së gazetarëve dhe të mbajnë përgjegjës ata që kanë vepruar në shkelje të ligjit.

“Ky nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Bëhet fjalë për çështje themelore të procesit të rregullt ligjor, proporcionalitetit, lirisë së medias dhe mbrojtjes së gazetarëve. Të gjitha palët duhet të veprojnë me shpejtësi, transparencë dhe në interes të publikut për të siguruar respektimin e këtyre të drejtave”, përfundon reagimi i ECPMF.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb